Kombëtaren shqiptare e presin dy finalet e fundit drejt Euro2024. Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin nga kjo fundjavë, ku skuadra do të bashkohet për tu vënë në urdhërat e trajnerit Silvinjo. Duke përjashtuar befasitë e minutave të fundit, braziliani do të ketë një grup të shëndetshëm dhe të plotë për sfidën me Moldavinë, ku synohet të paktën një pikë për tu kualifikuar. Përpos dëmtimeve, ajo që tremb stafin teknik të kombëtares sonë mund të jenë ndëshkimet nga kartonat.

Nedim Bajrami është ai që rrezikon përballjen me Ishujt Faroe nëse ndëshkohet me të verdhë në sfidën me Moldavinë. Një skenar që do të prishte jo pak planet e Silvinjos që e ka bazuar ndjeshëm lojën e kuqezinjve tek talenti i Sasuolës. Mesfushori është ndëshkuar me karton të verdhë në të dy ndeshjet ndaj Çekisë dhe duhet të tregohet i kujdesshëm, pasi nëse merr një tjetër karton ndaj Moldavisë, do të humbasë duelin kundër Ishujve Faroe në Tiranë.  

Klan News