Pacientë dhe mjekë nuk respektojnë rregullat e këshilluara

“Edhe pse Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza konsiderohet vatra e re e covid, pacientët dhe familjarët e tyre janë totalisht të pakujdesshëm. Shumica nuk kanë maska apo doreza, për të mos folur pastaj për respektimin e distancës”.

Pavarësisht se situata e koronavirusit ka ngritur në alert të gjithë botën, në QSUT pacientët vijojnë të shoqërohen nga disa familjarë gjatë vizitave. Asnjë nuk respekton distancën fizike duke riskuar kështu përhapjen e infeksionit.

Po kaq të pakujdesshëm duken edhe bluzat e bardha.

Siç duket edhe nga pamjet, mjekët, përveç se qëndrojnë në mjedise spitalore me veshjet e tyre të përditshme, lëvizin nga një godinë në tjetrën pa maska.

“Ndoshta ka pasur edhe pak shkujdesje në ruajtjen e rregullave tashmë të përcaktuara qartë, përdorimi i maskave në mjedise të mbyllura, ruajta e distancës etj, por gjithsesi mendoj se është një rast i izoluar”.

Mosrespektimi i masave të higjienës dhe mosruajtja e distancimit ka sjellë edhe përhapjen e infeksionit në mjedise spitalore, ku aktualisht numërohen 33 të infektuar vetëm në 2 ditë nga infermierja e mjekësisë interne në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Tv Klan