Bardhi: Ishin pozitive. Paloka: Ka vullnet

Negociatat e zhvilluara me kreun e Këshillit Kombëtar Edi Paloka, Gazment Bardhi i ka cilësuar pozitive. Pas mbledhjes së grupit ku informoi deputetët që mbështesin Enkelejd Alibeajn, ai tha se për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhje palët nuk duhet të kenë qëndrime të njëanshme.

“Takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë të plotë mirëkuptimi. Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim për një çështje të caktuar. Kemi shkëmbyer thjesht mendime. Njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria”.

Më herët edhe Edi Paloka pas takimit që zhvilloi me Bardhin konfirmoi frymën e bashkëpunimit duke e lënë të hapur mundësinë e eksplorimit të rrugëve që çojnë palët drejt bashkëpunimit.

“Nuk ka dështuar takimi, është vullneti i përbashkët për të dalë me një kandidat”.

Pas mbledhjes së grupit njëzëri deputetët mbështetën idenë e daljes të Partisë Demokratike me një kandidat të përbashkët në këto zgjedhje. Pati prej tyre që primaret i shohin si formë demokratizimi brenda radhëve të demokratëve.

“Do të jem për primaret dhe primaret e thella. Se sa thellë primaret do maksimizojnë, varet nga ne se cilat mekanizmat do na çojnë nga listat tek konkurrimi. Të bësh garë reale në një terren ku nuk kandidojnë njerëz me lista të mbyllura por me lista të hapura”, u shpreh Grida Duma.

“Duam ne një kandidat të vetëm që të jetë fitues dhe instrumenti duhet të jetë proporcionalisht i tillë t’i shërbejë këtij qëllimi. Mënyrat janë pa fund”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Palët kanë lënë të hapur mundësinë e një takimi të dytë pas atij të paradites së së hënës, ndërkohë që në selinë blu u hap edhe gara për procesin e primareve. Në zgjedhjet e 6 Marsit PD garoi me dy kandidatë ç’ka çoi në ndarjen e votës duke i dhënë grupimit të Rithemelimit fitoren e Bashkisë së Shkodrës nga pesë të tjera.

Tv Klan