Për të treguar se i ka marrë seriozisht detyrat e shtëpisë që i la Brukseli për çeljen e negociatave, Kryeministri Edi Rama e uli Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn me të gjithë ministrat e qeverisë, përreth një tryeze të rrumbullakët. Dhe Hahn duket se e mori mesazhin.

Në prani të Komisionerit, Rama i bëri ftesë opozitës të ulen bashkë në një tryezë tjetër, nga ku të mbajnë larg betejat politike dhe të gjejnë konsensus për negociatat.

I ardhur në Tiranë me bindjen se Komisioni Europian dhe Shqipëria nuk kanë asnjë ditë kohë për të humbur në përgatitjet për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn u ndal veçanërisht tek Reforma në Drejtësi dhe situata e krijuar me Shkollën e Magjistraturës. I habitur se ndryshimi i ligjit kërkon shumicë e cilësuar, Hahn kërkoi që opozita të japë konsensusin dhe të mos e lerë sistemin e drejtësisë pa gjykatës.

“Është detyrë e qeverisë dhe e opozitës që të zbatojnë shpejt Reformën në Drejtësi. Është ironike që si rezultat i vetting-ut të hasni një situatë që mos të kemi gjyqtarë. Kjo do të

ishte katastrofë”.

Konferencën për shtyp, Komisioneri për Zgjerimin e shfrytëzoi për të dhënë një tjetër mesazh lidhur me Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht me procesin e vetting-ut.

I vetëdijshëm se puna përgatitore për negociatat nuk është një proces aspak i lehtë, Kryeministri tha se edhe nëse Shqipërisë do i ishte ndezur drita jeshile në muajin Qershor, vendi do t’i nënshtrohej të njëjtit proces. Kryetar i delegacionit për bashkëveprimin në emër të qeverisë shqiptare do të jetë Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian ishte edhe në qendër të takimit që Komisioneri Hahn zhvilloi edhe me Presidentin Meta, ku gjithëpërfshirja dhe besueshmëria u cilësuan elementë kyçë për ecurinë e mëtejshme të reformave.

Tv Klan