Negociatat, Merkel: Rekomandim pozitiv për Shqipërinë

Negociatat, Merkel: Rekomandim pozitiv për Shqipërinë

16:36 18/09/2019

DW: CDU/CSU propozon 9 kushte për vendin tonë

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se qeveria e saj ka dhënë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo u pyet gjatë një konference për shtyp me Kryeministren e Serbisë edhe për qëndrimin e Francës dhe Holandës, por Kancelarja dha këtë përgjigje.

“Nuk mund të flas​ për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë, por së pari mund të them për pozicionin gjerman, i cili lidhet me Bundestagun Gjerman. Qeveria ka dhënë një rekomandim pozitiv për të dy vendet me specifikat e veta, si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe për Shqipërinë, por është Bundestagu ai që do të vendosë dhe besoj së shpejti do të kemi një vendim”.

Vendimi do të merret nga Bundestagu gjerman që voton më 26 Shtator, por Deutsche Welle ka zbuluar se dy grupet parlamentare të maxhorancës, Unioni Kristiandemokrat dhe Unioni Kristiansocial (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate do të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë kur të plotësohen 9 kushte.

  1. Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
  2. Miratimi i reformës zgjedhore.
  3. Implementimi i reformës zgjedhore.
  4. Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut.
  5. Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave.
  6. Vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK.
  7. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”.
  8. Përparime në reformën e administratës publike.
  9. Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Deutsche Welle thotë se Gjermania do të mbështesë hapjen e negociatave në Janar të 2020-s. Këto do të jenë propozimet e Berlinit në tavolinën e krerëve të vendeve anëtare në takimin e 17 dhe 18 Tetorit. Të njëjtat burime thonë se mbetet ende i paqartë qëndrimi i Francës.

Presidenti Emmanuel Macron është shprehur deri tani kundër zgjerimit para konsolidimit të BE-së, por vendimi i Gjermanisë do të shtojë presionin ndaj kreut të Elizesë, i cili mund të ndryshojë qëndrim në momentet e fundit. Deutsche Welle citon se edhe Holanda është kundër zgjerimit ndërsa Danimarka mbetet skeptike, por qëndrimi i tyre do të shihet pasi të shprehet Franca.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT