Merkel: Duhet të mbajmë premtimin për Ballkanin

Posta

Merkel: Duhet të mbajmë premtimin për Ballkanin

12:16 17/10/2019

“E bindur që t’u japim Tiranës e Shkupit perspektivën europiane”

Nga Bundestagu, Kancelarja gjermane Angela Merkel i dërgoi një tjetër mesazh Brukselit, përpara se të nisej për takimin e lidërve të unionit: Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i integruar. Përkundër qëndrimit të Francës, që e sheh ende Ballkanin larg zgjerimit, Merkel tha se integrimi është edhe në interes të vetë Europës së Bashkuar.

“Gjermania është shumë e lidhur me këtë rajon, jo vetëm gjeopolitikisht, por edhe ekonomikisht dhe nga ana shoqërore përmes njerëzve që prej andej që jetojnë këtu. Është në interesin e përbashkët europian, që t’i integrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë afatgjatë, jo vetëm me Europën, por edhe me Bashkimin Europian. Prandaj duhet t’i qëndrojmë angazhimit tonë për t’u dhënë këtyre vendeve një perspektivë europiane. Mbajtja e premtimeve është premisa më e mirë për t’u kërkuar fqinjëve tanë në Ballkanin Perëndimor në përparimin me reformat dhe shtetin e së drejtës. Kjo është po ashtu premisa më e mirë për mirëqenien, stabilitetin dhe sigurinë brenda Europës”.

Kancelarja e mbrojti edhe njëherë rezolutën e Bundestagut, duke e quajtur një shtysë për vendet e tjera. Ajo shprehu bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave, ndonëse tha se shanset për një vendim pozitiv nuk janë të mira.

“E kam përshëndetur dhe e falenderoj parlamentin gjerman që me vendimin e 27 Shtatorit, që kjo përgjegjësi për Ballkanin Perëndimor u ligjërua. Me këtë vendim u kemi ndërtuar edhe një urë për shumë partnerë të tjerë europianë që ende kanë dyshime. Prandaj besoj se pozicioni ynë është shembull dhe shtysë për të tjerët. Unë jam e bindur që ia vlen që t’i japim Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një perspektivë europiane. Këtë debat do e bëjmë sot në Këshillin Europian dhe shpresoj që edhe ata që nuk janë bindur ende, të binden, por besoj se shanset që të arrijmë një vote unanime nuk janë të mira”.

Franca e kundërshton hapjen e negociatave për shkak se kërkon që Europa të adaptojë një mekanizëm tjetër për integrimin, duke ndryshuar procedurat e ndjekura deri tani. Presidenti Makron shprehu edhe shqetësimin për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria, por kundër zgjerimit ai u shpreh edhe për Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT