BE pritet të shtyjë hapjen e bisedimeve. Të shikojmë zbatimin e Kodit

Ambasadorët e disa prej shteteve anëtare të BE-së në Bruksel si Franca, Holanda, Danimarka dhe Spanja kanë propozuar që Shqipërisë t’i lihet më tepër kohë që të plotësojë kushtet e vëna në muajin Mars dhe vlerësimi nëse duhet t’i hapen negociatat, të bëhet pranverën e vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit.

Ky zhvillim vjen pasi Komisionieri për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe numri dy i PPE në Parlamentin Europian, Andrei Kovaçev, i kërkuan Kryeministrit Rama që të presë një opinion të Komisionit të Venecias, pasi Presidenti Meta dërgoi atje 81 faqet që argumentojnë kundërshtinë ndaj Kodit Zgjedhor, të miratuar nga socialistët dhe opozita e re.

Për fatin e negociatave do të vendoset më 10 Nëntor, ndërsa sot pasdite deputetët Rudina Hajdari dhe Taulant Balla do të përpiqen në bashkëbisedim online të bindin kolegët e tyre holandezë se Shqipëria meriton hapjen e negociatave në muajin Dhjetor.

Para kësaj video konference, parlamentarët holandezë, nëpërmjet dhjetë pyetjeve kërkuan përgjigje nga qeveria e tyre nëse Shqipëria i ka realizuar kushtet e vëna nga Këshilli Evropian në muajin Mars, si dhe kushtet specifike që ka Haga. 

Ata pyesin nëse është miratuar me konsensus Reforma e re Zgjedhore, plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financimin transparent të partive politike dhe fushatave elektorale. Po ashtu nëse funksionon Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare, vendimet e Komisionit të Venecias dhe a është finalizuar krijimi i strukturave të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një pyetje tjetër është se çfarë ka bërë Shqipëria realisht në të vërtetë gjatë vitit të kaluar për të luftuar korrupsionin dhe cili është numri i arrestimeve, sasia e drogës dhe armëve të sekuestruara, sa shqiptarë janë dënuar në Holandë dhe sa janë dëbuar gjatë dy viteve të fundit.

Për të organizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare se ka bërë progres të mjaftueshëm mbi kushtet e vendosura nga Këshilli në muajin Mars.

Klan Plus