Varhelyi flet edhe për prishjen e Teatrit Kombëtar

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, ka deklaruar këtë të mërkurë se në muajin Qershor do të përcaktohet korniza e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ai konfirmoi se në vjeshtë do të mbahet raporti vjetor dhe deri atëherë mund të vazhdohet me reformat.

“Konfirmova sot se korniza e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të bëhet në Qershor, ndërkohë që raportet vjetore do të zhvillohen në vjeshtë në mënyrë që reformat të thellohen. Parashikimet janë të mira duke pasur parasysh edhe situatën me Covid-19. Vijon momenti i rëndësishëm i zgjerimit”, shkruante Varhelyi në Twitter.

Eurokomisioneri ka pasur edhe një reagim në lidhje me shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Në një video që u shpërnda në rrjetet sociale nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, Varhelyi thotë se ka biseduar në telefon me kryeministrin Rama për këtë çështje.

Eurokomisioneri shprehet se secili vend e ka në kompetencat e tij për të diskutuar në lidhje me teatrin e tij kombëtar. Por kjo sipas Varhelyi-t duhet bërë jo në mënyrë konfliktuale.

Ai shprehet në video se kryeministri Rama e ka siguruar se në këtë proces ka qenë e përfshirë edhe shoqëria civile.

“Kuptoj që është kompetencë e secilit shtet për të diskutuar në lidhje me teatrin e tij kombëtar pa patur nevojë që ne t’i tregojmë atyre se çfarë teatri kombëtar duhet të ndërtojnë. E rëndësishme është që të mos bëhet në mënyrë konfliktuale. Dhe përfshirja e shoqërisë civile është siguruar në këtë proces dhe për këtë të fundit ishim dakord me Kryeministrin”, shprehet ai./tvklan.al

/tvklan.al