Duket se po shkon drejt zgjidhjes shqetësimi i blegtorëve dhe femerëve të cilët dolën në protesta masive pas uljes së vlerës së kompensimit të tatimit mbi vlerën e shtuar këtë vit nga 20 në 6%.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se grupi i punës i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Bujqësisë ka propozuar një masë subvencionimi për prodhuesit e qumështit në 10 Lekë për litër, jo vetëm për qumështin e cilësisë së parë (i cili përfiton aktualisht), por për të gjitha kategoritë.

Kërkesa pritet të marrë miratimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Nëse edhe këtë herë nuk do të gjendet një zgjidhje, agropërpunuesit thonë se do të vazhdojnë bojkotin për të mos blerë më prodhime në tregun vendas.

Prodhuesit e kësaj industrie thonë se e gjithë lufta po zhvendoset nga institucionale në një përplasje tregtare. Tashmë ata janë duke luftuar me importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tyre.

Ata sqarojnë se edhe përjashtimi nga TVSH për inputet në bujqësi nuk ka arritur të japë efekt në uljen e çmimeve të farave, fidanëve dhe plehrave kimikë, për shkak të stokut që kanë patur tregtarët, duke rrëzuar argumentimin e uljes së kostove për fermerët me këtë masë që ka bërë Ministria e Financave.

Nëse situata nuk do të zgjidhet në datën 3 Prill, fermerë e blegtorë do të mblidhen në Lushnjë për të vazhduar protesta e nisura gjatë muajit të fundit.

Tv Klan