Mazhoranca i jep kohë bisedimeve me opozitën

Pasi opozita depozitoi në Këshillin Politik propozimet për Reformën Zgjedhore, socialistët do të rinisin edhe një herë negociatat me ta, në përpjekje për gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Mazhoranca ndërkohë ka nisur diskutimet e propozimeve të saj në Komisionin e Ligjeve, por Damian Gjiknuri tha se dialogu do të vazhdojë edhe në Këshillin Politik ku janë përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të LSI-së.

“Ne vetëm mbrëmë vonë morëm propozimin dhe draftin që ka sjellë Partia Demokratike sëbashku me interpretimin e kësaj në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Duhet të them një gjë që Komisioni i Ligjeve ka filluar tashmë shqyrtimin dhe ne jemi duke zhvilluar këtë proces, dhe nesër do të vazhdojmë me komisionin e ligjeve për të përafruar disa qëndrime dhe natyrshëm më vonë do të japim përgjigje edhe Partisë Demokratike edhe se kur do të thërrasim Këshillin Politik.”

Duke qenë se propozimet e Partisë Demokratike i rihapën edhe një herë diskutimet për dy pikat thelbësore të ndryshimeve në Kod, atë për listat e hapura dhe për koalicionet, atëherë gjasat janë që mazhoranca të mos i miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor në datën 1 Tetor, siç kishte paralajmëruar.

Tv Klan