“I sigurt se edhe Kosova do t’i bashkohet Shengenit ballkanik”

Pavarësisht tërmetit të 18 Tetorit siç i pëlqen ta quajë Edi Rama vendimin refuzues të Këshillit Europian për çeljen e negociatave, rezultatet e konferencës së donatorëve dhe mbështetjen e fortë të BE e bëjnë optimist.

Duke folur në konferencën e organizuar nga “Fondacioni Qemal Stafa” për përfshirjen e Ballkanit në BE, Rama përsërit se vendimi nuk kishte lidhje me Shqipërinë, por ishte politik brendshme e pastër e vendeve anëtare. Gjithsesi ai veçon pozicionin e Presidentit Macron si të sinqertë edhe pse brutal.

“E shoh Francën ndoshta si aktorin më të ndershëm në këtë debat, sepse Presidenti Macron ka një qëndrim që është shumë i hapur, është shumë i drejtpërdrejtë e shumë brutal do të thoja. Ajo çfarë po thonë është që Europa siç është, nuk po funksionon. Mund ta vini në pikëpyetje, por është e vërteta e thënë prej tij dhe kjo nuk është një mënyrë për t’i rënë vërdallë duke thënë që ne duam shumë ta bëjmë këtë gjë tani, por Shqipëria nuk është gati, ashtu siç të tjerët në fakt preferojnë të thonë. Kjo ka hapur një debat të mirë dhe ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në metodikën e bisedimeve të anëtarësimit, ndoshta do ta bëjë procesin shumë më të qartë e shumë më të drejtë. Unë them ndoshta sepse dimë që djalli fshihet tek detajet dhe përvoja na ka treguar se për më të vegjlit e më ë dobëtit, rregullat nuk janë asnjëherë mjaftueshëm të respektuara, ndërkohë që për të mëdhenjtë e për të pasurit ka gjithmonë një rrugë”, tha Rama.

Duke folur për Minishengenin, Rama u shpreh besimplotë që herët a vonë dhe Kosova do të bëhet pjese e kësaj nisme që ndihmon dhe integrimin europian të të gjithë rajonit.

“T’i thuash jo kësaj, është t’i thuash jo historisë, të ardhmes dhe jam i sigurt që kjo do të na bëjë bashkë të gjithëve. Jam i sigurt që herët më shumë sesa vonë do të jemi të gjithë bashkë pjesë e saj, sepse nuk mund të vazhdojmë të rrimë, të refuzojmë e të kundërshtojmë gjëra që janë kaq të dukshme, kaq të qarta e që nuk kanë asnjë problem. Qëndrimi ynë në raport me Kosovën është shumë i qartë karshi Serbisë, nuk ndryshon, por duke bërë atë që po përpiqemi të bëjmë, besojmë që krijojmë më shumë mundësi për një dialog më këmbëngulës e më të qëndrueshëm e jo më pak. Me aq sa kuptoj nga metodologjia e re, ka një element rajonal po kështu të përfshirë aty dhe herët a vonë, vendet tona do të maten jo vetëm me atë çka bëjnë së brendshmi, por edhe se si sillen përreth tyre, që është e drejtë”, tha Rama.

Kryebashkiaku Veliaj është i mendimit se rol të rëndësishëm në integrimin e rajonit në BE kanë të rinjtë, të cilët duhet të kenë më shumë hapësira në vendimmarrje.

Pjese e konferencës ishte dhe reporterja për Shqipërinë në PE Isabel Santos dhe paraaradhësi i saj Knut Fleckenstein.

Tv Klan