Kryeministri Edi Rama priti të enjten pasdite Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Së bashku, patën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria do të hapë 8 kapituj të tjerë në ditët në vijim dhe synon që t’i çelë të gjitha ato brenda vitit.

“Kënaqësi të ritakohem me presidentin, i cili është një mik i dashur dhe shumë i mençur. I dashur Antonio shumë faleminderit. Jemi këtu sot, pasi presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndalur në Tiranë edhe për faktin se nesër do të jetë i pranishëm në samitin e KPE. Natyrisht që diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe me BE-në, për aspektin e procesit tonë të rrugës së anëtarësimit që po ecën shumë mirë. Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 kapituj të tjerë do hapen në ditët në vijim dhe synojmë t’i hapim të gjithë kapitujt brenda vitit. Ndërkohë siç e kam ndarë edhe publikisht plani i përbashkët me KE dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që të arrijmë të mbyllim negociatat në harkun e 3 vjetëve domethënë nga 2024 kur filluan në 2027. Është plan ambicioz, por mundësi e jashtëzakonshme për ne pasi janë rreshtuar yjet në një farë mënyre dhe BE si asnjëherë më parë është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj, por natyrisht bazuar në meritë dhe rezultate”, tha Rama.

Mes të dyve u fol edhe për ecurinë në tërësi të rajonit. Kjo, theksoi Rama, është arsyeja pse BE-ja është gati që të pranojë anëtarë të tjerë në gjirin e saj. Me këtë rast pati një ftesë edhe për kolegët e rajonit që të mos e humbasin këtë moment.

“Ftoj të gjithë kolegët e rajonit miqtë e mi që të mos e humbasim këtë moment që historia na e ka sjellë në derë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gatishmëri të BE, pa harruar që historitë e këtyre viteve kanë treguar që procesi i zgjerimit mund të shpejtojë në një moment dhe mund të ngadalësojë për shumë vite”, tha Rama./tvklan.al