Komisioneri për zgjerimin në BE viziton Shkupin, nesër në Tiranë

Komisari për zgjerim, Oliver Varhelyi erdhi me plotë shpresë për hapjen e negociatave, siç tha ai, edhe para samitit të Zagrebit. Ai u shpreh se qëndrimi i Komisionit Evropian mbetet i njëjtë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për hapjen e negociatave.

“Duam të propozojmë hapjen e negociatave edhe atë që në këtë pranverë, por kjo duhet të bëhet së bashku me planin ekonomik për rajonin, kurse në samitin e Zagrebit shpresoj se do ta marrim përkrahjen edhe të anëtarëve të  BE-së për intensifikimin e prezencës tonë në këtë rajon, që ta mbyllim dallimin ekonomik mes juve dhe neve dhe jeta e përditshme të jenë më të afërta mes njëra dhe tjetrit”.

Varhelyi tha se do të bashkëpunojë edhe me Qeverinë e re pas zgjedhjeve, e shtoi se ka kërkuar që të jepet shpërblim prej 50 milionë eurosh për rezultatet e arritura të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri, Oliver Spasovski, tha se nuk duan me asgjë ta rrezikojnë rekomandim për hapjen e negociatave, e për këtë është e rëndësishme që organizimi i zgjedhjeve të kalojë pa probleme.

“Programi i Komisionit të ri përfaqëson shpresë të re të madhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe forcim të pozitave tona si anëtarë të ardhshme të Unionit Evropian. Komisioni Evropian gjithmonë ka qenë dhe do të jetë aleat i jonë në tentimet tona për afrim drejt Bashkimit Evropian dhe presim që kjo të vazhdojë edhe më tutje me përbërjen e re të Komisionit”.

Spasovski shpreson se Bashkimi Evropian do ta përmirësoj gabimin e bërë strategjik, e tha që po e presin edhe metodologjinë e re, që do ta përcaktojë dinamikën e procesit të anëtarësimit. 

Tv Klan