U akuzuan nga PD për shpenzime luksi

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës Arbër Mazniku.

Verifikimet vijnë pas akuzave që janë bërë ditët e fundit nga media dhe Partia Demokratike për qëndrimet e tyre në hotele luksoze.

Për Etilda Gjonajn do të verifikohen disa shpenzime që ajo ka kryer për qëndrime në hotele të ndryshme në Europë.

Sipas disa faturave të bëra publike në media dhe nga selia blu, ajo ka paguar rreth 700 Euro për një natë qëndrimi në një hotel në Bruksel.

Ministrja i ka hedhur poshtë akuzat, duke sqaruar se bëhej fjalë për pagesa për të gjithë delegacionin e se hotelet përzgjidhen nga vendet që organizojnë aktivitetet ku ajo ka qenë pjesëmarrëse.

Ndërsa verifikimi për nënkryetarin e Bashkisë, Arbër Mazniku, ka nisur pas publikimit nga Partia Demokratike të një fature hoteli në Spanjë.

Kjo faturë me vlere 908 Euro rezulton se është paguar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha.

Mazniku ka sqaruar se ai ka qenë pjesëmarrës në ceremoninë e dhënies së çmimeve për hapesirat publike, ku sheshi “Skënderbej” fitoi çmimin e parë, që i shkoi kompanise “Fusha” dhe kontraktorit – Bashkia Tiranë. Kompania “Fusha”, thotë Mazniku, mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde publike të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si Bashkisë, si kontraktorit për realizimin.

Pas verifikimeve, vetëm nëse do të ketë elemente të veprës penale, Prokuroria e Tiranës do të fillojë procedimin ndaj dy zyrtarëve.

Tv Klan