Genet e nënës përcaktojnë sa të zgjuar do të jenë fëmijët, sipas një studimi të ri, dhe babai nuk bën diferencë. Gratë kanë më shumë gjasa që të transmetojnë genet e inteligjencës tek fëmijët e tyre, për shkak se ato mbarten nga kromozomi X dhe femrat kanë dy të tilla, ndërsa meshkujt vetëm një.

Një kategori genesh e njohur si “genet e kushtëzuara”, besohet se punojnë vetëm kur vijnë nga nëna në disa raste dhe nga babai në raste të tjera. Inteligjenca besohet se është në mesin e këtyre geneve të kushtëzuara që duhet të vijnë nga nëna.

Studimet laboratorike duke përdorur minj të modifikuar gjenetikisht zbuluan se ata që kishin më shumë doza të geneve të nënës zhvillonin kokë dhe tru më të madh, por kishin trup të vogël. Ata me doza më të mëdha të geneve të babait, kishin tru të vogël dhe trup të madh.

Sipas studimit të publikuar nga e përditshmja The Independent, hulumtuesit identifikuan qelizat që përmbanin vetëm gene të nënës apo të babait në 6 vende të ndryshme të trurit të minjve që kontrollonin funksione të ndryshme konjitive, që nga zakonet në të ushqyer deri tek kujtesa.

Qelizat me gene të babait akumuloheshin në pjesë të sistemit limbik, që lidhet me funksione të tilla si seksi, ushqimi dhe agresioni. Por shkencëtarët nuk gjetën asnjë qelizë të babait në korteksin cerebral, ku ndodhen pjesa më e madhe e aftësive konjitive të avancuara, të tilla si arsyetimi, mendimi, gjuha dhe planifikimi.

Të shqetësuar se njerëzit mund të mos jenë si minjtë, shkencëtarët në Glasgow vendosën të ndërmarrin edhe një studim tek njerëzit. Kështu teoritë e tyre i vërtetuan kur morën në intervistë 12,686 persona të moshës 14 deri në 22 vjeç, çdo vit që prej 1994-s. Pavarësisht se morën në konsideratë faktorë të ndryshëm, nga edukimi i pjesëmarrësve, tek raca dhe statusi i tyre socioekonomik, grupi i ekspertëve zbuluan se parashikuesi më i mirë i inteligjencës, ishte IQ e nënës.

Megjithatë, kërkimet e bëjnë të qartë se genet nuk janë përcaktuesi i vetëm i inteligjencës. Vetëm 40 deri në 60 përqind e inteligjencës është e trashëgueshme, duke ia lënë pjesën tjetër në dorë mjedisit.

Por ekspertët kanë zbuluar gjithashtu se nënat kanë një rol tepër domethënës në këtë pjesë jo genetike të inteligjencës. Disa studime sugjerojnë se një lidhje e fortë mes nënës dhe fëmijës lidhet ngushtë me inteligjencën.

Shkencëtarët në Universitetin e Washington-it zbuluan se një lidhje e fortë emocionale mes nënës dhe fëmijës është çelësi për zhvillimin e disa pjesëve të trurit. Në këto konkluzione ata dolën pasi analizuan një grup nënash të lidhura me fëmijët e tyre për 7 vjet dhe zbuluan se fëmijët që kishin pasur mbështetje emocionale dhe kishin qenë të përmbushur nga ana e inteligjencës, kishin hipokampus 10 përqind më të madh se fëmijët që kishin qenë më të distancuar emocionalisht nga nënat e tyre. Hipokampusi është zona e trurit që lidhet me kujtesën, të mësuarit dhe përgjigjen ndaj stresit.

Një lidhje e fortë me nënën mendohet se i jep fëmijës një ndjenjë sigurie që e lejon atë të eksplorojnë botën dhe të ketë vetëbesimin për të zgjidhur problemet./tvklan.al