U gjend në garazhdin nëntokësor të një pallati në Yzberisht, është në gjendje të rëndë për jetën

Në këtë divan, në bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit, në kryeqytet, erdhi në jetë këtë të Martë një fëmijë që u braktis po aty nga nëna e tij.

Ka qenë një banor i pallatit që ka konstatuar foshnjën e sapolindur të seksit mashkull të mbështjellë me një batanije, e që më pas ka lajmëruar policinë.

Uniformat blu e kanë dërguar menjëherë në maternitetin Koço Gliozheni ku është në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas informacionit zyrtar në momentin që ka mbërritur në spital foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë dhe pa shenja jete. Pas mjekimit intensiv prej 40 minutash i sapolinduri shfaqi shenja jete, por mbetet ende në gjendje tepër të rëndë dhe i intubuar.

Pas kontrollit të pamjeve filmike nga kamerat policia ka identifikuar dhe ndaluar nënën që braktisi foshnjën e sapolindur në garazhdin nëntokësor. Ajo është Eglanta Isufi, 30 vjeç nga Tirana. Pas identifikimit dhe shoqërimit, shërbimet e Policisë e kanë dërguar 30-vjeçaren për ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Klan News