Një grua dhe dy vajzat e saj u gjetën të pajeta në apartamentin e tyre të kyçur në Vienë të Austrisë. Dyshimet e para janë se Vesna Miloseviç, 46-vjeçe dhe vajzat e saj 18-vjeçare Suzana dhe Tanja kanë vdekur nga uria, ndonëse fqinjët betohen se kishin parë çanta me ushqim që futeshin brenda shtëpisë.

Vdekja e tyre është e mbuluar me mister. Autopsia tregoi se të treja kishin vdekur nga uria dhe trupat e tyre po dekompozoheshin në apartamentin e mbyllur, prej më shumë se dy muajsh.

Sipas mediave austriake, hetuesit nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shenjë që dikush mund të ketë hyrë me dhunë në apartament, apo shenja dhune në trupin e viktimave. Nuk dihet ekzaktësisht se kur kanë vdekur ato.

Sipas Blic, kur zjarrfikësit u futën në shtëpi, dy vajzat i gjetën në shtretërit e tyre, ndërsa trupi i nënës së saj ndodhej në katin poshtë tyre.

Prindërit e 46-vjeçares, Stevan dhe Danica Ilic u tronditën kur mësuan për fatin tragjik të vajzës dhe mbesave të tyre nga mediat. Ata thanë për gazetarët se Vesna dhe bashkëshorti i saj ishin shpërngulur nga Serbia drejt Austrisë kur binjaket ishin vetëm 7 muajshe.

Megjithatë, shumë shpejt gruaja zbuloi se bashkëshorti i saj kishte pasur një tjetër familje në kryeqytetin austriak, për këtë arsye ata ishin divorcuar vite më parë. Pas ndarjes mes çiftit kishte pasur zënka të vazhdueshme.

Fqinjët thanë se kishin dëgjuar zënka dhe zhurma të çuditshme që vinin nga shtëpia e Vesnas gjatë gjithë kohës, deri më 1 Prill, kur ra qetësia.

Raportimet thonë se Vesna kishte kërkuar ndihmë në shoqatë për gratë, teksa kishte shkuar atje për të shpëtuar nga dhuna e ish-bashkëshortit. Rreth 2 vjet më parë, punonjësit socialë që vizituan familjen thanë se Vesna kishte iluzione psikologjike, ndërsa vajzat ishin në akth dhe të frikësuara. Megjithatë punonjësit nuk qenë në gjendje të përcaktonin nëse ato kërcënoheshin nga diçka.

Autoritetet nuk gjetën asnjë lloj ushqimi brenda apartamentit të tyre, gjë e cila sugjeron se Vesna mund t’i ketë bindur vajzat e saj që të mos jetonin më, duke mos ngrënë derisa dhanë shpirt.

Megjithatë këto pretendime u kundërshtuan nga prindërit e 46-vjeçares, të cilët thanë se kishin biseduar me vajzën e tyre në mes të muajit Prill, por që prej asaj kohe nuk kishin mundur të kontaktonin më me të.

“Të vdesësh nga uria në Shekullin e 21 nuk ka kuptim. Një fqinj na tha se e kishin parë Vesnën me dy çanta pazari kohët e fundit, kështu që teoria e urisë nuk më bind”, tha babai i gruas.

Hetimet për vdekjen e tyre vijojnë./tvklan.al