Një grua rreth 50 vjeç, e cila nuk ka dashur të zbulojë identitetin e saj, rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë e trishtë të jetës së saj. Bashkëshorti e braktisi pasi solli në jetë djalin e tyre dhe ajo jetoi për vite me radhë me babain dhe djalin e saj.

Në studio, ajo tregoi se kishin vazhdimisht konflikte me fqinjët për pronën dhe pas vdekjes së babit të saj ishin shtuar edhe më tepër.

Por ngjarja që ndodhi me djalin e saj, kur ai ishte 16 vjeç, ndryshoi jetën e saj dhe të djalit. Gruaja që ishte komshie me të gjendet e vrarë dhe këtu fillon kalvari i vuajtjeve për këto familje.

Mirela Milori: Ndodhi një ngjarje e rëndë, djali juaj burgoset. Përse, çfarë ndodhi?

Zonja X: Mirela sikur ta dija çfarë ka ndodhur atë ditë, sikur ta dija. Kur më vdiq babi, do ta lidh paksa shkurt… Qëkur u bëmë privat, ne kishim shumë grindje dhe sherre me komshinjtë. Unë e di se çfarë kam hequr me ata njerëz, unë u duka atyre si halë në sy. Ti je gocë, duhet të kishe ikur, pse po rri këtu.

Mirela Milori: Ndahet toka, ke probleme me fqinjët përsa i përket pronësisë?

Zonja X: Po shumë!

Mirela Milori: Pronësi, shtëpi. truall, apo edhe tokë arë?

Zonja X: Edhe shtëpi truall, e kam shtëpinë dy kate atje, por edhe tokë arë.

Mirela Milori: Ku ishte konflikti më i madh?

Zonja X: Për tokën, për shtëpinë kemi patur bahçen mbrapa shtëpisë. Donin të na e merrnin dhe atë tek shtëpia, mirë shtëpinë e ke tënden. Mirela të betohem për këtë ujë, nuk shkonte ditë, sharje, fyerje dhe konflikte fizike.

Mirela Milori: Si konflikte fizike?

Zonja X: Unë isha në shtëpinë time dhe thoja, pse o njerëz më bini në qafë.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi më tej?

Zonja X: Pas gjithë këtyre sendeve dhe pasi vdiq babi në Shkurt, ne nuk ishim ndarë asnjë ditë nga njëri-tjetri. Një ditë unë shkoj tek varrezat dhe më bie të fikët, edhe ngelem aty. Djali duke pritur, kujtohet dhe vjen më gjen aty. Tha, mami ti vetëm këtu jo më dhe nuk më ka lënë kurrë vetë. Atë ditë, fati jonë i zi, dy ditë kishim që u ndamë nga njëri-tjetri, sepse ishte vjeshtë dhe do mblidhej prodhimi dhe do futej brenda. Erdhëm në shtëpi, unë me punët e tjera, ai zuri bukën që kur të vija unë ta piqja, e kam mësuar me punë, se halli të mëson dhe të dinte për vete. Nejse, ai në drejtim të vetë unë në drejtimin tim. Më vjen inat për atë ditë, sepse deri në 12:30 kam qenë bashkë me një komshi të atyre. Edhe si se hapi gojën ajo grua të thotë, që prit ky njeri ishte me mua, se ato më akuzojnë mua.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Zonja X: Shkoj në shtëpi, shkoj ora 2:30, prit, s’po vinte djali. Edhe dola edhe pashë njerëz, që iknin me vrap dhe dëgjova që kishte ndodhur një vrasje. Ngela dhe më hipi një e qarë, më shkonin lot.

Mirela Milori: Pra dëgjove që kishte ndodhur një vrasje?

Zonja X: Po, por se ishte djali im në atë mes, jo o Zot s’më shkonte mendja. Dola edhe iki një copë rrugë dhe po vinte djali.

Mirela Milori: Kush kishte vdekur?

Zonja X: Kishte vdekur gruaja e komshiut!

Mirela Milori: Sa vjeç ishte?

Zonja X:  Nuk e di 35-36 vjeç. Ka lënë dy fëmijë jetima. Vjen djali në shtëpi, mami i thashë çfarë ka ndodhur, por ma ka thënë më mbrapa, mami tha kam qenë i hutuar, mua s’më foli hiç.

Mirela Milori: Ajo u gjet e vrarë?

Zonja X: Po u gjet e vrarë gruaja. /tvklan.al