Nëna e 3 fëmijëve: Burri vinte në mes të natës me jastëk dhe thoshte do të mbys



Nëna e 3 fëmijëve: Burri vinte në mes të natës me jastëk dhe thoshte do të mbys

17:10 03/06/2020

Nëna e 3 fëmijëve rrëfeu në programin “Historia ime”, në Tv Klan historinë aspak të thjeshtë të jetës së saj. Gjatë marteses së saj 18-vjeçare me bashkëshortin, ajo është përballur me dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme nga ana e tij.

Gjelina rrëfen se burri i saj ishte shumë xheloz dhe për këtë arsye vazhdimisht e ofendonte dhe ushtronte dhunë ndaj saj, madje edhe në sy të fëmijëve.

Një herë gjatë grindjeve me bashkëshortin, ajo bie nga një lartësi, humbet ndjenjat dhe përfundon në spital. Vajza e saj më e madhe tregon se fajtor për gjendjen e nënës ishte babai i saj. Ai arrestohet dhe që nga ai moment, Gjelina mori vendimin të ndahej prej tij.

Edhe sot, ajo vazhdon të ndjejë frikë, sidomos për fëmijët e saj.

Gazetarja: Çfarë ka ndodhur atë ditë që erdhi më pas policia?

Gjelina: Herën e parë?

Gazetarja: Herën e dytë!

Gjelina: Herën e dytë, unë punoja në një këpucari në Kavajë, edhe kur vij nga puna në orën 3 e gjysëm-4 mbasdite, ai ishte poshtë tek rruga. Ishte shtrirë tek gardhi dhe më shikontë mua nga do ta ktheja kokën, majtas- djathtas, kujt do t’i flas. Unë e pashë dhe nuk bëra llafe, për mos bërë debat erdha në shtëpi dhe u shtriva. Më erdhi këtu pastaj dhe çfarë nuk më tha. Ik i thashë se të kam lënë Zotin.

Gazetarja: Të qëlloi?

Gjelina: Jo për momentin jo.

Gazetarja: Debatet u bënë në sy të fëmijëve?

Gjelina:  Çuni i vogël ka qenë, po edhe fëmijët kanë qenë më duket, nuk e mbaj mend mirë.  Pastaj iku, unë u ngrita hëngra bukë dhe dola me gocën e madhe po vadisja baçën dhe pastaj kur do futeshim brenda, tha vajza hajde mami brenda. I thashë të mbledh dhe rrobat dhe mos dal më jashtë pastaj. Sa fillova të mbledh rrobat ai vjen dhe më qëllon me tubin e ujit, edhe e kapa tek këmisha dhe i thashë pse më qëllon, çfarë halli ke? Pastaj se si më ka rrëzuar, vetëm kur më bie ndërmend që kam rënë, sikur kam rënë në një lartësi të madhe dhe kam rënë pa ndjenja pastaj. Më kishte marrë me gocën e madhe më kishte sjellë këtu, e kishte parë që isha përkeqësuar më shumë dhe më kishte hipur në makinë dhe më kishte çuar në Lushnjë, në spital. Vijnë doktorët dhe pyesin çfarë ka dhe ai i kishte thënë që u rrëzua tek bari. Vajza e madhe ishte hedhur pse gënjen ti babi, pse nuk i’u thua doktorëve të vërtetën, që e vrava unë. Ata pastaj kishin lajmëruar policinë, kishin ardhur e kishin marrë. Kam ikur pastaj nga spitali kam shkuar tek komisariati zbathur, siç më morën dhe më çuan për të pyetur si vajti puna. Ata policët më thanë që ka folur shumë ashpër. Thashë meqë paska bërë kështu, kaq paska qenë jeta ime me atë. Më sollën ata të policisë në shtëpi, pastaj vazhduam gjyqet me rradhë.

Gazetarja: Keni patur ndonjëherë frikë se mos ju vriste?

Gjelina: Sa herë! Vinte në mes të natës me jastëk dhe thoshte do të mbys. I thoja çfarë të kam bërë që do më mbytësh? Ai ndoshta nuk e kishte me zemër dhe shpirt që t’i bënte këto veprime, por mua frika më hynte, se femër jam. Unë edhe tani që rri këtu e frikësuar rri, vjen një njeri i panjohur. Frika ime për fëmijët, por për veten time, iku jeta ime, po të paktën të nxjerr fëmijët në jetë./tvklan.al



Të ngjashme