Lirie Shehi, tregon se prej disa vitesh jeton dhe punon në Greqi me familjen. Në 15 Mars  Shehit i skadonte pasaporta, e për këtë arsye në 10 Mars ajo udhëtoi drejt Shqipërisë për të aplikuar për pasaportën e re.

Por këto ditë përkuan me nisjen e izolimit dhe Lirie Shehi mbeti në Shqipëri, ndërsa 4 fëmijët e bashkëshorti i saj në Greqi.

Duke kërkuar ndihmë nga emisioni “Stop”, ajo i bën thirrje kryeministrit t’i mundësojë kthimin pranë fëmijëve të saj, që cilët janë vetëm prej një muaji e gjysmë.

“Prej 16 vitesh jetoj  në Greqi, kam katër fëmijë dhe erdha se më mbaronte pasaporta. Në datën 10 Mars erdha se për të rinovuar pasaportën dhe në 11 Mars preva kuponin dhe më thanë që në datën 12 do shkosh të lesh shenjat e gishtave… Kur vajta, atje ishin mbyllur të gjitha. Jam interesuar tek zyrat e Kamzës dhe më thanë që janë mbyllur dhe nuk kemi çfarë të të bëjmë. Pastaj shkruajta tek Shqipëriaqëduam.al dhe nuk më dhanë asnjë zgjidhje. Meqë ALEAT dhe portali nuk më dhanë asnjë zgjidhe, u detyrova te Stop që të më japë një rrugëzgjidhje, sepse pagova 180000 të vjetra që të më dilte pasaporta më shpejt. Problemi është që kam katër fëmijë të vegjël, të moshës 4, 11, 13 dhe 15-vjeçe…”

Ajo tregon edhe videon e komunikimit me të vegjlit…

Nëna: Çfarë bëni o zemra?

Vajza-Mirë!

Nëna: Bëni kujdes, mos dilni.

Vajza-Jo o mami, s’dalim! Po rrimë këtu në shtëpi.

Nëna: Ca gjelle bëtë, ca po hani?

Vajza-Makarona dhe pastiçe.

Nëna: Kur ikën babi te puna, me kë rrini?

Vajza-Babi ikën tek puna dhe neve rrimë këtu në shtëpi vetëm.

Nëna: Po kujdesesh për fëmijët ti?

Vajza-Po, kujdes të gjithë edhe motrat edhe vëllezërit. Oj ma, kur do vish?

Nëna: Unë do vi kur të thotë Edi Rama…

Vajza-Kur do vish?

Nëna: Nuk e di, kur të hapi Edi Rama kufinjtë… Ju ka marrë malli për mamin?!

Vajza-Po o ma, na ka marrë malli.

“Edi Rama të më ndihmojë që të shkoj tek fëmijët…”, apelon ajo. /tvklan.al