Sot në studion e “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë e ftuar Migena Mecollari dhe bashkëshorti i saj. Migena është një nënë 32-vjeçare e cila fle në lulishte. Për shkak të varfërisë, dy fëmijët e saj ajo i ka lënë tek e ema në Korçë. Aktualisht ajo është shtatzënë dhe pret fëmijën e trete. Apeli që bën gruaja sot është të ketë një banesë të ngrohtë. Migena thotë se është detyruar t’i lërë fëmijët e saj tek prindërit, kjo gjë ka shkaktuar edhe debat mes saj dhe të atit i cili sipas Migenës shpesh herë i thotë se e ka të pamundur t’i mbajë fëmijët e saj.

Migena është lidhur 13 vjet më parë me burrin me të cilin nuk kanë bërë celebrim. Burri i saj mundohet ta mbajë familjen duke mbledhur kanaçe. Migena i përket komunitetit rom, ajo është e pashkolluar dhe është martuar me dashuri me bashkëshortin e saj. Migena është nga Korça kurse i shoqi është nga Lushnja. Migena nuk është përfituese e ndihmës ekonomike . 

Ajo është e gatshme të tërheqë dokumentacionet nga Korça në Lushnjë në këtë mënyrë të përfitojë ndihmë. 

Shkak i ardhjes së tyre në emision ka qenë nëna e Migenës, Liljana Meçollari e cila përmes një telefonate me moderatoren Mirela Milori ka kërkuar ndihmë për fëmijën e saj dhe t’i gjendet një zgjidhje sepse kjo situatë po e sëmur.

Liljana Meçollari: Unë marr 60 mijë lekë pension, burri më del për 3 mijë lekë, ikën që në mëngjes dhe vjen në darkë i shkreti nga puna vetëm për fëmijët e saj. Çfarë të bëj unë? Ajo shtëpi nuk ka, asistencë nuk ka, të hajë nuk ka, është një jetë. Flihet jashtë si qen, pa ngrënë pa pirë? Fëmijët ja mora, ca në Korçë, ca në Gjirokastër, ca në Tiranë, tani vajti në Lushnjë, ku do përfundojë më ajo?

Mirela Milori: Cila mendoni ju se është zgjidhja?

Liljana Meçollari: Unë ju drejtova juve që të ma ndihmoni një çikë atë fëmijë se unë jam dhe vetë e sëmurë me zemër, djalin e kam me vrimë në zemër, nuk mundem dot. Çfarë të bëj me ato 60 mijë lekë, të paguaj dritat, ujin që herë mi presin, herë s’mi presin, ku të vete të mbytem unë? Unë një dhomë kam dhe jam në grindje me kunetërit dhe me kunatat. Ne flemë dy e nga dy, ku të vëmë të mbytemi? Ta fus burrin në vrasje me të vëllain?

Vini pak dorë për atë fëmijë të lutem se nuk më zë as gjumi as ditë as natë. Unë jam më keq se ajo. Jam 53 vjeç dhe jam bërë me keq se ajo, të më shikosh mua, ty të ik truri i kokës. Nuk e vë kokën në jastëk të më besosh. Më vraftë ai Zot dhe më marrtë ajo nëna me vete në qoftë se unë vë kokën në jastëk dhe fle më shumë se gjysmë ore sepse e kam mendjen tek ajo. /tvklan.al