Për mbi 5 orë është pyetur në SPAK mamaja e deputetes Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit ka dhënë shpjegime për çështjen hetimore që ka SPAK për pasurinë e deputetes së Partisë së Lirisë. Pas daljes nga dyert e SPAK Fatmira Kryemadhi shpjegoi për mediat arsyet e paraqitjes së saj në prokurori dhe detajet se për çfarë është pyetur nga hetuesit.
Fatime Kryemadhi: Që kur filloi të merrej me djegësat ajo, këto filluan…Unë s’isha pa shtëpi, kam punuar gjithë jetën. Po mirë ça ka celulari? Ka ndonjë gjë të veçantë? As s’kam bërë tendera, as djegësa, as 5D as 7D. Unë kam pallatin me shpenzimet e mia, te toka që më ka lënë burri. Kemi punuar bashkë. Për fëmijët i kam lekët, se për kë?! Çdo gjë e kam me bankë.
Prokuroria e Posaçme disa kohë më parë ka ushtruar kontroll në banesën e mamasë së deputetes në kuadër të këtyre hetimeve. Në atë banesë është gjetur një celular, sekuestrimin e të cilit deputetja e kundërshtoi edhe në gjykatë, kërkesë e cila u rrëzua. Në SPAK janë aktualisht 3 çështje, të cilat janë nën hetim për ligjvënësen Kryemadhi dhe Ilir Metën.
Klan News