Sose Nazo, nëna e të ndjerës Sonila Cani që humbi jetën në Itali në rrethana të dyshimta në muajin Mars 2021, e shoqëruar edhe nga drejtuesi i emisionit Uniko, Spartak Koka, udhëtuan drejt Torinos. Aty, Sose Nazo dha deklarimet e saj në polici për plot 3 orë, në prezencën e përfaqësueses së saj ligjore dhe përkthyeses.

Sose Nazo tregoi se vajza e saj ishte në Itali me bashkëshortin e saj Kreshnik Canin. Ajo thotë se dha të gjitha deklarimet për të cilat u pyet nga hetuesit italianë, si dhe shprehu gatishmërinë që nipin e saj të marri në kujdestari nëse i jep aprovimin Kreshnik Cani.

“I dhashë të gjitha, si është njohur goca, si ka vajtur në Itali, çfarë moshe. Arsyen ne si prindër që e kemi dhënë për një jetë më të mirë me bashkëshortin për në Itali. Zgjati 3 orë se më pyetën për shumë gjëra, kur kam folur në telefon, si ka ikur në Itali, si ka jetuar, çfarë pune ka bërë dhe isha e detyruar t’i përgjigjesha unë si nënë. Më kanë pyetur dhe për telefonatën e fundit që goca ka folur në kamera, a ishte e mërzitur, a kishte stres, a ishte shenja dhune. Më pyetën për shumë gjëra, edhe po të jetë e mundur unë do vij prapë këtu në Torino që të dalin çështjet e çupës deri në fund. Kam thënë dhe që edhe për djalin jam e gatshme që ta marr në rast se ma jep Kreshniku”, tha Sose Nazo pasi doli nga policia e Torinos. /tvklan.al