Një 59-vjeçare, nënë e 3 fëmijëve ka treguar në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan dhunën 40-vjeçare nga ana e bashkëshortit.

Maria ka rrëfyer në studio se që ditën e parë të martesës burri ka ushtruar dhunë ndaj saj. Edhe pas ardhjes në jetë të fëmijëve, dhuna dhe tortura ka vazhduar, madje sipas saj bashkëshorti godiste dhe fëmijët.

Burri nuk punonte dhe Marinë nuk e linte të shkonte në punë dhe jetesa për ta ka qenë e vështirë. Në studio, 59-vjeçarja tregoi se bashkëshorti i saj vidhte dhe e merrte dhe atë me vete për të vjedhur gjithashtu.

Frika që ka prej tij, e ka detyruar të qëndrojë me të pavarësisht dhunës dhe torturave.

Mirela Milori: Si vazhdoi jeta pastaj?

Maria: Dhuna për mua ishte shumë keq, burri m’i priste rrobat, m’i digjte, në punë nuk vinte. Më torturonte dhe në një torturë tjetër. Ikte diku dhe vidhte dhe më merrte dhe mua nga pas. Që unë se bëja dot atë si femër, 19 vjeç nuk e duroja dot, qaja.

Mirela Milori: Ike të vidhte?

Maria: Vidhte se nuk vinte në punë dhe detyrohej të vidhte.

Mirela Milori: Të merrte dhe ty?

Maria: Po vija dhe unë mbas atij, se më torturonte. Më çirrte nga fytyra dhe më bënte gjak.

Mirela Milori: Të erdhën dhe fëmijë të tjerë?

Maria: Po! Prindërit më thanë që nuk do shkosh më atje.

Mirela Milori: Me sa fëmijë ishe kur prindërit të thanë mos shko tek ai?

Maria: Kisha dy fëmijë!

Mirela Milori: Po pse u ktheve prapë?

Maria: Se ai ishte shumë i dhunshëm dhe unë kisha shumë frikë nga ai. Kisha shumë frikë tek familja, tek vëllezërit, mos ai bënte diçka. Mendova ta paguaja vetë atë siklet dhe jo familja, se familja ime nuk më kishte kusur.

Mirela Milori: Erdhi dhe fëmija i tretë. Me çfarë jetonit?

Maria: Mua s’më linte të dilja absolutisht nga dera!

Mirela Milori: Ishte i dhunshëm me fëmijët?

Maria: Nuk i afronte, edhe sot nuk i afron.

Mirela Milori: Po nuk i godiste?

Maria: Edhe i godiste.

Mirela Milori: Edhe vajzat?

Maria: Edhe vajzat posi! Kam vuajtur 40 vjet!/tvklan.al