Pjesë e emisonit “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Flora një grua 37-vjeçare e cila ka treguar për dhunën jo njerëzore që bashkëshorti ushtronte ndaj saj për 4 vite. Ata ishin në kushte të vështira ekonomike sepse bashkëshorti nuk punonte. Nuk kishin as bukë të hanin. Nëna e saj nga Tropoja detyrohej që të ecte në këmbë për 8 orë me thesin e miellit në kurriz për t’ja çuar në Pukë. Torturat e saj nuk kanë përfunduar për aq vite sa qëndroi e martuar me burrin. Lindi 3 fëmijë dhe i ka rritur në mënyrë ekstreme sepse nuk kishte se me çfarë t’i ushqente. Ajo tregon se hante hithra me ujë sepse nuk kishte as vaj për të ushqyer të birin me gji.

Mirela Milori: Për çfarë bëhej konflikti në shtëpi?

Flora Bala: Për çdo gjë, ngelte pa bukë thoshte thuaji nënës tënde të na sjellë bukë. Nënës time iu desh të ecte 8 orë me thes mielli në shpinë, 25 kg miell, plus thesin e kripës dhe testin e enëve. Kur vinte thoshte kjo shtëpia nuk është mirë se si ka arritur.

Mirela Milori: Erdhën në jetë 3 fëmijë, nuk mendove ndarjen kur ishte vetëm me një fëmijë?

Flora Bala: Thoja hajd se mos bën Zoti mirë dhe do kthente.

Mirela Milori: Sa vite martesë?

Flora Bala: 4 vite martesë.

Mirela Milori: Nga kjo martesë mban mend ndonjë gjë të bukur?

Flora Bala: Jo asnjë gjë, nga kjo martesë kam marrë dhuratë nga Zoti vetëm ata tre fëmijë. Nga katër vite martesë nuk e di nëse kanë kaluar 20 ditë pa rrahje apo ofendime.

Mirela Milori: Çfarë të dha forcë që the do iki, nuk duroj dot më?

Flora Bala: Kur kishte baba 2-vjetorin e vdekjes e tha hajde shkojmë në familje. Nga një anë isha e lumtur se do shkoja në familje, por nga një anë si do i kaloja 8 orë me të duke ecur rrugës me të. Kishte marrë një thikë me vete, dhe e pyes pse e ke këtë thikë, e më tha e kam për vëllain tënd. Kisha dhe djalin e madh ishte dy vjeç, duhet ta lija tek familja se s’kisha me se ta rrisja. E kisha fëmijën në gji nuk kisha se çfarë haja, merrja hithra i grija, i përvëloja dhe i bëja me ujë e kripë sepse nuk kisha as vaj e asnjë gjë tjetër.

Flora tregon se me atë thikë në mbrëmje e ka ndjekur për ta vrarë, por ajo është mbyllur në dhomë me nënën, djalin dhe të motrën dhe kanë thirrur policinë. /tvklan.al