Të bekohesh me ardhjen në jetë të një fëmije është një ndër lumturitë më të mëdha që prek njeriu në jetën e tij. Por fati me të cilin një fëmijë vjen në jetë asnjëherë nuk dihet se si mund ta ndryshojë jetën e prindërve të tij. Bekimi sjell dhe vështirësi nga më të mëdhatë kur fëmija lind me një problem shëndetësor të caktuar, i cili i kushtëzon jetën gjithë familjes.

Më e madhe bëhet vështirësia kur edhe fëmija i dytë vjen në jetë me probleme. Në të tilla raste lumturia e të bërit prind përzihet pashmangshmërisht me sakrificën dhe dëshpërimin.

E tillë është historia që do të ndajë sot në emisionin “Historia ime” në Tv Klan një nënë shumë e re vetëm 26 vjeç, e cila prindëron mes lotësh dhe dashurisë për dy fëmijët e saj të sëmurë çdo ditë të jetës së saj tashmë prej 8 vitesh.

Mirela Milori: Erdhi djali jot i parë në jetë, më fol për këtë moment.

Diana Plaku: Një kënaqësi shumë e madhe, erdhi në jetë shëndoshë e mirë, kaluan muajt, vijoi duke u rritur, çdo gjë ishte mirë deri në një vit e gjysmë, pastaj filloi të mos reagonte, i ikte ekuilibri, po i ikte shikimi, nuk po ndiqte asgjë. Filluan shqetësimet si çdo prind, shkuam nëpër spitale nga Elbasani në Tiranë. Shkuam në një klinikë private dhe doktoresha më tha që çfarëdo që të bësh djali jot nuk do shërohet. Nga analizat dhe skaneri doli që kishte Antrofi Cerebrale. Pasi burri im punonte në Greqi, shkuam dhe aty me një mjek privat na tha që është vështirë t’ju them por në këtë moment që unë vizitoj fëmijën tuaj, nuk figuron fare truri, nuk është.

Mirela Milori: Çfarë shenjash dhe çfarë jep kjo sëmundje?

Diana Plaku: Kjo sëmundje shkakton tkurjen e trurit, nuk ec, nuk ndjek asgjë fare. Kur ishte 2 vjeç ne mësuam që ai vuante nga kjo sëmundje.

Mirela Milori: Çfarë thanë mjekët, a mund të bëhet ndonjë ndërhyrje?

Diana Plaku: Nuk bëhet asnjë ndërhyrje, asnjë gjë. Thanë që me këtë sëmundje që ka, mund të shkojë deri në 5-6 vjeç. Shkuam në Itali dhe aty na thanë të njëjtat gjëra. Na thanë ju jeni një çift i ri, do bëni fëmijë të tjerë, nuk është rasti i vetëm. /tvklan.al