“Po të ishte në Tiranë Mario im do ishte gjallë”

Emisioni “Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë dhe të dhimbshme të familjes Çekrezi. Kryefamiljarja, Anila, tregoi varfërinë dhe sëmundjen e djalit të saj Mario, e cila i mori atij jetën. Kur ishte dy vjeç, prindërit kuptuan se ai nuk ishte si gjithë fëmijët e tjerë.

Pavarësisht se nuk kishin mundësi ekonomike, me sakrifica e sollën djalin për kurim në Tiranë. Aty pas kontrolleve të bëra mjekët i thanë se ai kishte një sëmundje dhe nuk do mund të jetonte më shumë se 12 vjet.

Anila tregoi se 5 ditë pasi kishte mbushur 12 vjet, djali i saj ndërroi jetë. Dhimbja ka qenë e madhe dhe të dy prindërit kaluan në gjendje depresive.

Mirela Milori: Kur je njohur me bashkëshortin tënd?

Anila Çekrezi: Në 2001-shin jemi njohur në Shkurt, në Korrik jemi martuar.

Mirela Milori: Si ishte jeta familjare, martesa, jeta në Gramsh?

Anila Çekrezi: Si gjithë të rinjtë, por me vështirësi normal. Kam pasur 3 fëmijë, sot kam dy. Mario, shpirti i mamit. Nga gjendja ekonomike e vështirë. Ishte i sëmurë, mbasi u bë dy vjeç, e kuptova që ishte i sëmurë.

Mirela Milori: Kur ishte 2 vjeç ju kuptuat diçka, çfarë kishte?

Anila Çekrezi: Kuptuam që kishte probleme, nuk ishte si gjithë fëmijët e tjerë. Ishte dhe koha e poliomelitit, më thoshin hiqe, por unë nuk e hoqa me thënë të drejtën.

Mirela Milori: Kur ishe shtatzënë?

Anila Çekrezi: Isha 7-muajshe në atë kohë, më thanë hiqe, por nuk e hoqa.

Mirela Milori: Dhe në moshën 2 vjeç çfarë diagnostikuat?

Anila Çekrezi: Më thanë shko në Tiranë, se nuk është mirë. Kishte probleme me temperaturën, ishte i lodhur, nuk ishte si gjithë fëmijët e tjerë. Ndoshta dhe jetesa, se ne ishim në hall, normal. Këtu na thanë nuk do rrojë shumë, do rrojë 12 vjet. Nuk e di, nuk lashë vend pa shkuar dhe kështu.

Mirela Milori: Kur mbushi 12 vjeç?

Anila Çekrezi: Jeta ime ka qenë shumë vuajtje. E merrja rrugën nga Gramshi në Tiranë, 4 orë, që t’i bëja mjekime djalit. Atje në Gramsh nuk gjeta mbështetje, vetëm motrat Vinçesiane. Ato vetëm më janë gjendur për djalin. Deri në klasën e 5-të arriti në shkollë, ecte vetë normal, më mbrapa filloi nuk po ecte dot. U shëndosh pak më shumë. Si përfundim, nuk ishte në gjendje shumë të rëndë, por nga pamundësia se nuk e solla dot në Tiranë, humbi jetën në spital të Gramshit. Në datën 9 Korrik bëri 12 vjet, në datën 14 mbaroi, nuk jetoi më.

Mirela Milori: Ndërkohë kanë ardhur në jetë 2 fëmijët e tjerë?

Anila Çekrezi: Mbasi më ka humbur jetën Mario, më ka dhënë zoti Emanuelin. Faleminderit Zotit,  që sot është 4 vjeç. Melisa 11 vjeç mbush në Shkurt.

Anila Çekrezi: Nga humbja e djalit ishim shumë rëndë, nuk kishim asnjë mbështetje. S’kishim çfarë bënim më. Edhe burri kaloi në gjendje depresive, edhe unë, të dy. Kur kalonim i kishim shumë afër varrezat. Kishim një shtëpi shumë të thjeshtë, pa letra, vinin na thonin jo e kemi ne, me sakrifica. Burri ishte shumë sëmurë, unë isha më mirë, më dha Zoti forcë për vajzën. Edhe motrat, që më mbanin mendjen gjithmonë: O Nel duhet të jetosh. Ishte një gjë, mos i raftë njeriu. Ishte një dritë, ishte shumë mirë, por vajti në spital të Gramshit dhe më humbi jetën. Nuk e di, po të ishte në Tiranë, sot do ishte gjallë Mario im. Po ndoshta punët e Zotit, nuk e di. Mami jam sëmurë më tha në mëngjes. Festoi ditëlindjen në 9 Korrik, në 14 më humbi jetën, se s’kisha mundësi ta sillja në Tiranë./tvklan.al