Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një nënë me djalin e saj autik. Afërdita Keta ka rrëfyer kur dhe si e kuptoi që djali i saj Kevin vuante nga çrregullimi i spektrit autik dhe vështirësitë që ka përjetuar gjatë rritjes së tij.

Aferdita Keta: Ka lindur një fëmijë i shëndetshëm deri në moshën 15 muajsh. Më pas kaloi një temperaturë, ka qenë një situatë që kur e kujtoj më rrëqethet mishi. Kaloi temperaturë dhe pas asaj dite çdo gjë ka marrë tjetër drejtim në lidhje me Kevin. Shikoja që çdo ditë, diçka nuk po shkonte me Kevin, bëri një ndryshim drastik sepse ishte një fëmijë shumë i shëndetshëm. Jeta jonë ndryshoi shumë, mori tjetër drejtim.

Shumica nuk më besonin, thoshin që nuk ka gjë, do kalojë, do përmirësohet, do flasë, shikoja shikimet e Kevin, nuk më ndiqte. Në moshën 3 vjeç e gjysmë kam ardhur në Tiranë sepse Durrësi nuk më jepte zgjidhje për Kevin dhe i bëra një kontroll, vlerësim le të themi dhe aty më thanë që Kevin është diagnostikuar me me çrregullimin e spektrit autik.

Aty përmbyset çdo gjë, mendonim se ishim një familje e shëndetshme, nuk e di por Zoti i ka shkruar vetë punët e veta. Më pas filluam ta ndiqnim me terapi, terapistja e parë Ana ka bërë shumë për Kevin, i ka dhënë e para plastelina në dorë Kevinit dhe ka parë talentin e tij me plastelina.

Afërdita tregon se të gjithë fëmijët që vuajnë nga çrregullimi i spektrit autik nuk kanë asnjë mbështetje, sepse përndryshe fëmijët me këtë sëmundje do ecnin përpara. Nuk kanë mbështetje ekonomike, mbështetje institucionale, mbështetje nëpër shkolla, nëpër shkolla. Ajo është munduar shumë që ta fuste në kopsht apo në shkollë dhe sipas saj këto çudira vetëm në Shqipëri mund të ndodhin. Afërdita thotë se nëpër botë këta fëmijë kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, ndërsa në Shqipëri ka vetëm paragjykime.

Mirela Milori: Çfarë do të thotë të përballesh me një situatë të tillë, një terapi sa lekë bën?

Afërdita Keta: Në momentin që unë e kam çuar për herë të parë Kevin në terapi para 10 viteve, kam paguar 10-15 mijë lekë ora, këto janë terapi intensive sepse ishte fillimi. Nëse do ta marrim të përgjithshme për një muaj, më e pakta që mund të them unë është tek 400-500 mijë lekë vetëm terapi, prandaj them që ne nuk kemi patur mbështetje nga asnjë institucion dhe kjo është luftë me këta fëmijë që bëjmë ne çdo ditë. Është një sakrificë shumë e madhe, ne kemi harruar hallet e tjera dhe jemi përkushtuar vetëm tek Kevin. /tvklan.al