Një nënë, e cila ka kërkuar pa pushim, për më shumë se katër dekada, për të gjetur se çfarë ka ndodhur me foshnjen e saj të vdekur, ka zbuluar se arkivoli i tij është bosh.

Javën e kaluar,Lydia Reid mori një urdhër gjykate për të zhvarrosur turpin e djalit të saj që t’i bënin autopsinë, por u përball me një lajm “shkatërrues”.  

Në varrezat e Saughton të Skocisë nuk u gjet asnjë mbetje e foshnjes së saj, Gary. Zhvarrosja u krye nga antropologia mjeko-ligjore Dame Sue Black, e cila doli në përfundimin se arkivoli është varrosur pa trupin e djalit të Lydias.  

Antropologia gjeti një shall, një kapele dhe një kryq në arkivol, si dhe një tabelë, ku ndodhej emri i Garyt, i cili ishte shkruajtur gabim. Ajo tha se nuk gjendej asnjë mbetje skeletore ose shenjë dekompozimi.  

Black u shpreh:

“I vetmi shpjegim logjik është që trupi nuk është vendosur në atë arkivol” .

Gary vdiq në spitalin mbretëror të Edinburgh  në vitin 1975, vetëm 7 ditë pasi kishte ardhur në jetë.

Lydia rrëfen se kur kishte kërkuar të shihte djalin e saj, i kishin dhënë një foshnje që nuk ishte i saji. Ajo tha për BBC:

“Unë kundërshtova, por ata më thanë që po vuaja nga depresioni i pas – lindjes. Por ai fëmijë ishte biond dhe i shëndetshëm, ndërsa djali im ishte brun dhe i dobët. Ai nuk ishte djali im!”.

Ajo, tanimë 68 vjeç, ka kërkuar për vite me rradhë se çfarë i ka ndodhur Garyt dhe ka luajtur një rol kyç në Skoci, pasi ka marrë pjesë në zbulimin se si spitalet mbanin në mënyrë të paligjshme organet e fëmijëve të vdekur, për të bërë kërkime.

Skocezët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar u detyruan të pranonin praktikën e zhvilluar te fëmijët e vdekur, pasi u zhvillua një hetim mbi mbajtjen e organeve në spitalin Alder Hey në Liverpool.

 Lydia vazhdon të dyshojë se organet e djalit të saj janë marrë pa miratimin e saj, por nuk ka asnjë provë. Ndaj ajo kërkoi zhvarrosjen e djalit të saj.

“Doja të provoja faktin që ai nuk ndodhej aty. Më duhej të provoja që ai nuk ndodhej aty, në mënyrë që të luftoja për ta gjetur atë. Doja ta kisha gabim. Doja të quhesha një grua e vjetër budallaqe, por në momentin që Sue ngriti shallin nga toka e dija që nuk ndodhej asgjë në të.

Nuk dija çfarë të thoja. Ishte shkatërruese të mësoja që përgjatë gjithë këtyre viteve që kam ardhur për të kujtuar djalin tim, ai nuk ka qenë kurrë aty.”

68 – vjeçarja kërkon që dikush t’i tregojë se çfarë ka ndodhur me të birin sepse dëshiron vetëm që t’i bëjë një varrim të denjë.

Ajo tha:

“Edhe nëse është djegur dua ta di. Edhe nëse qëndron në një kavanoz diku në spital dua ta di. Nëse është e mundur që të rimarr djalin tim, dua ta rimarr. Nëse nuk është e mundur, atëherë të paktën të më thonë që të jetoj dhe unë e qetë”.

 Agjencia e funeraleve lajmëroi policinë menjëherë për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur.

Lothian Jim Crombie nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar tha:

“Ngushëllimet tona për familjen e Gary Paton. Kjo çështje është duke u shqyrtuar nga policia, ndaj ne nuk mund të themi më tepër”

./ tvklan.al