Në 26 Mars emisioni “Stop” transmetoi një denoncim për mungesën e një mjeku okulist prej 6 muajsh në poliklinikën e specialiteteve në qytetin e Kavajës.

Të gjithë qytetarët e Kavajës, që kanë probleme me sytë, drejtohen në Durrës ose në Tiranë. Zëvendësdrejtori i spitalit rajonal Kavajë, tha, se është shpallur vendi vakant, por nuk ka okulistë në qytet.

Pjesë nga intervista e kaluar:

N/drejtori: S’ka okulistë. Durrësi është 15 minuta larg, ça ka?

Gazetarja: Nga Ministria ju kanë thënë, që nuk ka okulistë?

N/drejtori: Ore e kanë shpallur vend vakant, nuk vijnë mjekë, s’ka. I ka marrë Gjermania, është problem gjithandej kjo punë!

N/drejtori: Na e sill, na gjej një!

Por në fakt “Stop” iu rikthye, pasi situata është e ndryshme. Florent Veliu, i shkolluar në Moskë, prej 6 muajsh ka bërë kërkesa për punësim, por kërkesat e tij nuk merren parasysh.

“Unë në 2010 kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë, në 2015 jam diplomuar në Rusi, për mjek okulist. Jam kthyer në Shqipëri, në 2016 jam licencuar në organet kompetence në Shqipëri si mjek okulist. Punoj si mjek familjeje për momentin për arsye sepse nuk kisha si të mos rrija i papunësuar në sistemin shëndetësor shqiptar. Kjo histori fillon që në Tetor 2020, që kur doktori i spitalit që ishte okulist ka dalë në pension. Unë i jam drejtuar drejtorisë së Spitalit për fillimin e procedurave për punësimin e mjekut okulist. Kam shkuar në Tetor, në Nëntor, në Dhjetor dhe më është komunikuar që gjatë kësaj kohe, Drejtoria i ka marrë të gjitha masat për dokumentacionin e duhur që duhet për hapjen për vendin vakant për punë. Kam shikuar që asnjë procedurë nuk është bërë dhe në Mars i jam drejtuar me një kërkesë drejtorisë së spitalit për këtë shqetësim dhe asgjë deri tani. Drejtoria mua më njeh shumë mirë, por problemi është diku”, tha Veliu.  

Nëndrejtori i spitalit Agron Beu, nuk pranon të flasë për këtë çështje dhe as për faktin se gënjeu ditë më parë. Këtë herë i thotë gazetares, që të shkojë te juristi.

Gazetarja: Të kërkova dhe të gjeta!  

N/drejtori Agron Beu: Nuk jam në hetuesi.

Gazetarja: Jo nuk je në hetuesi!

N/drejtori Agron Beu: Më lër të punoj!

Gazetarja: Por mos më shty o burrë.

N/drejtori Agron Beu: Më lër të punoj!

Gazetarja: Do punosh, por do punojmë bashkë tani. Më the bëhu okuliste, bëhu okuliste, të kam gjetur okulistin.

N/drejtori Agron Beu: Më lër të punoj! Nuk ka lidhje fare me mua.

Gazetarja: Pse më shtyn njëherë!

N/drejtori Agron Beu: Vazhdo. Bravo ju qoftë kjo është gazetaria. (duartroket)

Gazetarja: Po kjo është gazetaria se nuk mund të më gënjeni, e keni mjekun okilist në Kavajë dhe gënjei

N/drejtori Agron Beu: Është portali i hapur.

Gazetarja: Ku e ke portalin e hapur?

N/drejtori Agron Beu: S’jam askushi.

Gazetarja: Pse nuk e shpall vendin vakant?

N/drejtori Agron Beu: Shko te juristi mi shpirt! Shko te burimet Njerëzore!

Gazetarja: Do shkoj tek të gjithë, por juve patët guximin dhe më gënjyet. Këtë mos e mbyll!

N/drejtori Agron Beu: Më lër të punoj. Kam rastin mo shpirt.

Gazetarja: Ky është nëndrejtori i spitalit të Kavajës, i paaftë, gënjeshtar!

Në sektorin e burimeve njerëzore, pas këmbënguljes së gazetares, thonë, se për vendin vakant ka patur vetëm një kërkesë dhe e kanë adresuar në institucionet përkatëse.

“Ka pasur një kërkesë dhe është përcjellë kërkesa”.

Po ku e kanë përcjellë kërkesën?

“Shkresa ka shkuar në ministri dhe në drejtorinë e operatorit rajonal dhe qendror”.

“Stop” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me një letër për të zbuluar se kush bëhet pengesë për të punësuar të riun Veliu i cili është diplomuar në një nga universitetet më të njohura të Rusisë. /tvklan.al