Brisida Shehaj, ish- drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve ishte e ftuar sot në programin e Rudina Magjistarit “Rudina” në “Tv Klan”, ku rrëfeu për herë të parë në një intervistë televizive detaje të jetës së saj private. E njohur si “Brisi i Tatimeve” sot 38-vjeçe, Brisida iu përgjigj pyetjeve të Rudina Magjistarit në lidhje me modelin e saj të gruas në administratë, ku drejtoi për 3 vite, Drejtorinë e Tatimeve. Shehaj tha se, nuk ka asnjë model frymëzimi të gruas në politikë, pasi e frymëzon përditshmëria, dhe se ka idhull vetëm nënën e saj. Duke u ndalur tek marrëdhënia e ngushtë me prindërit dhe vëllain, i cili e ka bërë hallë dy herë, Rudina e pyeti drejprëdrejt nëse është një nga të dëshirat e saj të bëhet nënë? Brisida u përgjigj pa u menduar gjatë:

Brisida Shehaj: Është e vetmja dëshirë që kam patur. Sa herë diskutoja me mikeshat e mia të ngushta se thoshin “ti shumë e realizuar, ja i ke të gjitha”, i thosha “ndonjëherë Zoti të jep atë që s’do”. Unë jam nga ato natyra që e kam marrë vendimin për të qenë nënë edhe e vetme, kështu që ndoshta në një të ardhme të afërt  do ta realizoj. Për mua të qenit nënë qëndron përtej një marrëdhënieje. Ajo është një fat që edhe vjen, edhe s’vjen, por t’i heq mundësinë vetes e të qenit nënë nuk kam ndërmend. Shpresoj që të jemi mirë dhe shpresoj që të ndodhë sa më shpejt të bëhem nënë.

Më tej, Shehaj shton se paragjykimet, ofendimet apo fyerjet lidhur me këtë vendim të sajin nuk i hyjnë në sy për sa kohë është personal dhe nuk cenon apo prek askënd.

Briseida Shehaj: Të ishte dikush në krahun tim do ishte shumë mirë, por për fat kam një familje që më përkrah në këtë vendim. E kuptoj që do të ketë paragjykime, siç ndodh në rastet kur dikush bëhet nënë, pa një bashkëshort në krah. Por për mua është më e ndershme dhe e moralshme të bësh diçka të tillë, sesa të shtiresh si 80 për qind e çifteve, që hiqen si të lumtur në foto apo dalje televizive”./tvklan.al