Një grua plotësoi ëndrrën e saj për t’u bërë nënë, duke sjellë në jetë fëmijën e parë në moshën 61-vjeçare. Ana Maria Pontelo Moreira, me profesion asistente infermiere, solli në jetë një djalë në jug të Brazilit, 5 vjet pasi kishte nisur trajtimin me fekondim in vitro (IVF).

Gruaja u tha reporterëve se kishte qenë në listën e pritjes për të adoptuar një fëmijë kur u nda nga bashkëshorti. Ajo vendosi që t’i nënshtrohej trajtimit IVF kur ishte vetëm.

“E nisa në vitin 2014 sepse nuk kisha një partner”.

Moreira i zgjodhi të dyja vezët dhe spermën nga banka që kishin miks genetik i përputhshëm më ato të saj.

“Në moshën 40-vjeçare nuk është më e mundur që të përdorësh vezoret e tua, ndaj kërkova për një person më të ri, që përputhej me tipin tim të gjakut”, tregoi 61-vjeçarja.

Bebja i quajtur Ian peshonte 3.4 kilogramë dhe lindi me ndërhyrje cezariane në Spitalin Coracao Bella Suica, në qytetin e Londrina.

“Shpresoj që historia të jetë frymëzim për njerëz të tjerë. E di që ka gra në moshë që duan të bëhen nëna, por janë të frikësuara. Unë përmbusha ëndrrën time. Trajtimi nuk ishte i lehtë, sepse mu desh të merrja hormone, kushton shumë dhe kishte shumë njerëz që nuk kishin besim. Jam shumë e lumtur”, tha më tej 61-vjeçarja./tvklan.al