Qeveria do të vazhdojë ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe nga rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja deri te Pallati me Shigjeta, por duke ndryshuar projektin për këtë.

Ishte kreu i Bashkisë së Tiranës i cili tregoi planin e ri, ku është eleminuar mbikalimi dhe do të ndërtohet një nënkalim  për mjetet që do të drejtohen nga zona e Laprakës për në autostradë. Erion Veliaj tha se projekti është përmirësuar estetikisht dhe zgjidh problemet e ankesave që kanë patur qytetarët për izolimin e zonës, ndërsa kostoja e tij ka mbetur e njëjtë me të parin, 2.24 miliardë Lekë.

Projekti pritet që të miratohet nga Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar, e më pas do t’i hapet rrugë shpalljes së garës për këtë segment. Gjurma e rrugës nuk ka ndryshuar, ndaj pronarët të cilët do të shpronësohen mbeten të njëjtët me vendimin që ka miratuar qeveria një muaj më parë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se tashmë ka nisur zbatimi i programeve të strehimit social për banorët që do t’u merret prona, por që nuk disponojnë akte pronësie. Loti i parë i segmentit të Unazës në zonën e Astirit nuk arriti të ndërtohej pas zbulimit të skandalit ku një kompani me origjinë amerikane, “DH Albania” kishte fituar tenderin me dokumente të falsifikuara.

Tv Klan