MF: Kostot nuk rriten shumë, e ka në dore Kuvendi

Kontabilistët dhe kompanitë të cilat janë nënkontraktore të procesit të rindërtimit i kërkojnë qeverisë që të ndryshojë ligjin për përjashtimin nga TVSH-ja të këtij procesi dhe ta bëjë rindërtimin me TVSH zero.

Bujar Bendo, kontabilist i cili merret me disa kompani të cilat janë kontraktorë për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, thotë se vërtet i gjithë procesi i rindërtimit është i përjashtuar nga TVSH-ja, por jo nga TVSH-ja në blerje e mallrave, me përjashtim të kontraktorëve të parë që bëjnë importe. Kompanitë që blejnë mallra në Shqipëri, janë të detyruara që t’i blejnë me çmim më të lartë për shkak se furnitori duhet të shtojë kostot e tvsh-së.

Duhet që procesi të jetë me TVSH zero dhe jo me përjashtim, sepse po krijon probleme për shkarkimin e TVSH-së të mallrave në blerje, atë të furnitorëve. Ata kostot i kanë me TVSH dhe duhet ta shkarkojnë atë.”

Në këto kushte kontabilistët thonë se kjo që po ndodh në realitet bie ndesh me frymën e ligjit që është përjashtues nga barra fiskale për t’i bërë sa më të lira kostot e rindërtimit të shtëpive me qëllim ndërtimin e sa më shumë banesave.

Bie ndesh me frymën e ligjit sepse kostot në të vërtetë rriten, ndërsa kompanitë as nuk mund të kreditojnë TVSH-në sepse janë në fakt të përjashtuara. Janë afro 2 mijë kompani që ndodhen në këtë situatë.”

Të kontaktuar nga televizioni Klan, zyrtarë të Ministrisë së Financave sqaruan se ndryshimin e ligjit e ka në dorë kuvendi, dhe fillimisht ministria e propozoi me dy variante: përjashtim ose TVSH zero, dhe kuvendi vendosi për përjashtim të TVSH-së. Sipas ministrisë së Financave kostot nga kjo skemë nuk rriten shumë dhe është e njëjta skemë që u përdor edhe me gazsjellësin TAP.

Tv Klan