Gjatë vizitës së tij në Egjipt kryeministri Edi Rama u takua me presidentin e vendit, Abdel Fattah al-Sisi, e pikërisht me një falënderim për këtë të fundit e nisi konferencën për shtyp krah homologut të tij Mostafa Madbouly. Ky i fundit tha se mes dy vendeve ishin nënshtruar 3 marrëveshje dhe se palët kishin diskutuar mënyrat për të rritur bashkëpunimin mes tyre.

“Në takimin tonë diskutua për mënyra për të rritur, për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, në fusha si turizmin, energjia, tregtia dhe kultura. Diskutuam edhe mbledhjen e seancës parë të komitetit për bashkëpunim teknik shkencor e kulturor që do të bëhet në kryeqytetin Tiranë, muajin tjetër. Theksova gjithashtu edhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët të Këshillit të Biznesit të Shqipërisë dhe Egjiptit. Kjo do të inkurajojë që të vijojnë marrëdhëniet më tej. Në fund nënshtruam 3 marrëveshje të bashkëpunimit. Shpresoj që kjo vizitë do të jetë një pikë kthese drejt forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”, tha Moustafa Madbouly.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se nga Egjipti merrte me vete premtimin për t’u kujdesur personalisht për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit midis Kajros dhe Tiranës dhe e anasjellta.

“Na takon ne të përpiqemi e të ndërtojmë për më mirë e të përpiqemi e të forcojmë marrëdhëniet tona. Dua t’ju falenderoj për disponibilitetin tuaj për të ecur para duke bërë bashkë një komision të përbashkët, duke identifikuar fushat tona të bashkëpunimit. Shifrat e tregtisë janë shumë modeste, ndërsa potenciali është i pranishëm. Kështu që marr me vete premtimin për t’u kujdesur personalisht për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit midis Kajros dhe Tiranës dhe e anasjellta. Nga pala shqiptare ju siguroj që nuk do të jetë kurrë bosh. Kjo linjë ajrore do të ndihmojë shumë shqiptarë për të ardhur në këtë tokë dhe për të kuptuar që njëherë e një kohë ishte si dera e pasme e atdheut tonë”, tha Rama./tvklan.al

***

Marrëveshjet e nënshkruara:

1-Memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e muzeve ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Këshilli i lartë i Antikiteteve i Republikës Arabe të Egjiptit

2-Program ekzekutiv mbi bashkëpunimin kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës Arabe të Egjiptit

3-Protokoll bashkëpunimi ndërmjet panairit të librit në Tiranë dhe Organizatës së përgjithshme të librit egjiptian