Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane Exxon Mobile, e cila ka marrë përsipër riparimin dhe vënien në punë të termocentralit të Vlorës. Marrëveshja mes dy palëve u nënshkrua në Houston të SHBA-së, atje ku ndodhej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ministrja falenderoi ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim dhe shtoi se Shqipëria ka nevojë për një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë që sipas saj ia jep termocentrali i Vlorës.

“Ne kemi nevojë për sigurinë e furnizimit. Kemi nevojë për së paku një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë. MIE angazhohet të bashkëpunojë me Exxon Mobil dhe Excalerate Energy duke parë aspektet tregtare ekonomike, rregullatore për të sjellë gazin e lëngshëm natyror në Shqipëri. Kjo përfshin të tërë zinxhirin nga gazi i lëngshëm natyror nga konvertimi në terminalin e rigazifikimit për shpërndarjen në një shkallë të vogël të gazit të lëngshëm natyror duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonale. Qeveria shqiptare është entuziaste për ta eksploruar këtë mundësi me dy liderë të energjisë. Presim me padurim që të punojmë sëbashku dhe ta shohim këtë projekt të realizuar”, tha Balluku.

Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama përgëzoi për këtë marrëveshje të rëndësishme. Ai tha se Shqipëria është vendim më proamerikan në Ballkan dhe shtoi se vënia në punë e termocentralit të Vlorës me gaz të lëngshëm natyror shënon nisjen e një epoke të artë të gazit për rajonin tonë.

“Për ta përmbyllur, epoka e gazit e e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shfaqet mirëfilli sot për Shqipërinë. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës për rajonin e Ballkanit ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë në këtë rajon. Ndoshta nuk është gjë e madhe për një kompani si Exxon, por do të jetë e rëndësishme për emrin e Exxon Mobile që të jetë e pandashme nga kjo histori në këtë epokë të artë nga kjo pjesë e botës duke treguar jo vetëm fuqinë e vizionit, fuqinë e ekspertizës, por edhe fuqinë mjaft të rëndësishme të marrëdhënieve tona shqiptaro-amerikane”, tha Rama.

E pranishme gjatë ceremonisë ishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tregues i qartë i përparimit që ka bërë vendi ynë. Kim tha se Shqipëria është shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në një pikë të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë.

“Dua të theksoj edhe faktin që më 15 Mars do të festojmë 30 vjet qysh prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë dhe nuk mund të mendoja për një ngjarje më të përshtatshme sesa nënshkrimi i kësaj marrëveshje për të treguar sesa shumë është bërë përparim në Shqipëri, që u shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në shndërrimin e një pike të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë, kështu që përgëzime. Jemi shumë krenarë për të atë që keni mundur të arrini dhe shpresoj fort që të arrijmë ta çojmë deri në fund”, tha ajo.

Po ashtu edhe dy përfaqësuesit e kompanive të mëdha amerikane kanë deklaruar se investimi në termocentralin e Vlorës do ta bëjë atë një pikë të rëndësishme në rajon. Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe kompanive amerikane përmban 3 pika kryesore: futjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri, konvertimin e TEC-it të Vlorës që të punojë me këtë gaz si dhe ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e gazit, duke shndërruar Vlorën në një treg rajonal.

Kompania Exxon Mobile kap një vlerë të ardhurash prej 265 miliardë Dollarësh, ndërsa asetet e kompanisë Excelerate Energy kapin vlerën e 3 miliardë Dollarëve. Bisedimet me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane kanë nisur në fillim të vitit 2020 e janë përqendruar në futjen e teknologjisë së tyre më të fundit, e cila lidhet me shpërndarjen e gazit natyror me konteinerë, pa patur nevojë për tubacione.

Rama: Sot nis epoka e artë e gazit. Shqipëria, vendi më proamerikan në rajon

Qeveria shqiptare ka nënshkruar këtë të premte një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë e SHBA-së përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Exxon Mobil&Excelerate Energy për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika në Shqipëri. Për këtë ngjarje të rëndësishme u zhvillua një ceremoni, pjesë e  së cilës virtualisht nga Tirana ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është kryeqyteti më proamerikan. Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërkohë që tha se marrëveshja e fundit e nënshkruar mes palëve vjen pas asaj të nënshkruar për ndërtimin e Skavicës. Falenderime, kryeministri Edi Rama pati edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim, për të cilën tha se ka bërë të mundur nënshkrimin e dy marrëveshjeve.

“Përshëndetje nga Tirana, kryeqytetin e tokës më proamerikane në këto anë të botës. Është shumë prekëse që të jesh këtu si në një takim mes Goliath dhe Davidit sepse të përballesh me kompani si Exxon që ka të ardhura 20 herë më të larta se PBB jonë është mbresëlënëse. Jemi këtu për të qenë aleatë dhe është e shkëlqyer për të pasur partnerë si ju. Besoj që në këtë rrugëtim drejt së ardhmes të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë brenda 2030. Jemi me fat që të kemi partnerët më të mirë për të realizuar një projekt të kësaj përmase. Është një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar vetëm këto pak muaj mes qeverisë sonë dhe partnerëve amerikanë, pas atij për ndërtimin e hidrocentralit më të madh në 50 vjet që është diga e Skavicës. Thënë gjithë këtë më duhet të them që asnjë prej të dyjave nuk do kishte qenë e mundur pa dikë që është këtu në këtë takim, që natyrisht është grua, sepse vetëm gratë e forta mund t’i bëjnë të mundura gjërat e tilla, dhe që është ambasadorja amerikane sepse më së fundmi ishte ajo që ia doli që të shtynte një hap më tej këtë marrëdhënie duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimi të ekonomive. Dua ta falenderoj shumë. Dua të falenderoj çdo kënd tjetër për këtë projekt që besoj se do t’i japë shtysë moralit të qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë në vetvete pasi duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin e lëngshëm natyror e duke ia dalë që të vëmë në jetë një nga investimet e së kaluarës që ka qenë dështim është vërtetë shumë e rëndësishme. 130 mln Dollarë u shpenzuan shumë keq. E di që për Exxon janë qindarka, por për Shqipërinë është një vlerë e jashtëzakonshme. Konvertimi i termocentralit nga nafta me gaz dhe vënia në punë e termocentralit është një hap i jashtëzakonshëm. Ashtu siç thuhet që me 1 gur vrasim dy zogj. Këto janë dy projekte tej mase të rëndësishme në një marrëveshje. Për ta përmbyllur, epoka e gazit e e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shfaqet mirëfilli sot për Shqipërinë. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës për rajonin e Ballkanit ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë në këtë rajon. Ndoshta nuk është gjë e madhe për një kompani si Exxon, por do të jetë e rëndësishme për emrin e Exxon Mobile që të jetë e pandashme nga kjo histori në këtë epokë të artë nga kjo pjesë e botës duke treguar jo vetëm fuqinë e vizionit, fuqinë e ekspertizës, por edhe fuqinë mjaft të rëndësishme të marrëdhënieve tona shqiptaro-amerikane. Nuk jam i lumtur që nuk jam atje, por shpresoj që ky është vetëm fillimi dhe ndoshta gjëra të tjera do dalin prej kësaj se e di shumë mirë që Shqipëria ka një dobësi për ata që nuk e njohin. Shqipëria nuk është një vend për të shkuar për ata që nuk e njohin, por ata që vijnë nuk ndahen prej kësaj. Jam i sigurt miku im që tashmë keni rënë në ‘kurth’ dhe jam i bindur që e ardhmja do të na japë shumë më tepër mundësi dhe arsye për të qëndruar në Shqipëri”, tha Rama.

Kim: Shqipëria u shndërrua nga Koreja e Veriut të Europës, në një pikë energjie

Për ambasadoren Yuri Kim, nënshkrimi i marrëveshjes mes SHBA dhe vendit tonë për gazin e lëngshëm është një tregues i qartë sesa përparim ka bërë vendi ynë. E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kim tha se Shqipëria është shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në një pikë të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë.

“Dua të përgëzoj ministren Balluku dhe të gjithë ekipin e saj që kanë realizuar me sukses një marrëveshje të frytshme për të cilën kemi punuar për vite. Memorandumi i sotëm dhe nënshkrimi i tij është vërtetë i jashtëzakonshëm. SHBA e kanë mbështetur rolin unik të aleates së NATO-s, Shqipërisë, për të zhvilluar sigurinë, përfshirë dhe sigurinë e saj energjetike. TEC i Vlorës do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të aksesit europian në burime të qëndrueshme të energjisë. Një Europë e sigurt në burimet e saj energjetike është një partnere e fortë për të punuar për objektivat tona të përbashkëta në rajon dhe në të gjithë botën”.

“Vlora gjithashtu do të jetë një hap tjetër për të trajtuar sfidat e energjisë dhe klimës në rajon. Marrëveshja e sotme hedh themelet për t’i dhënë fund varësisë nga termocentralet që funksionojnë me qymyrguri në të gjithë rajonin. Pra kombinimi i larmishëm në Shqipëri i energjisë diellore, hidrike, të erës dhe tashmë të gazit natyror të lëngshëm, do ta bëjë Shqipërinë një transportues dhe një partner domethënës për këtë lloj ndryshimi. Do doja të falenderoja Exxon Mobil & Excelerate Energy që patën vizionin për të parë Shqipërinë si një pikë të vlefshme hyrëse për Ballkanin dhe më gjerësisht për Europën”.

“Rritja e lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe SHBA është një nga përparësitë tona kryesore strategjike dhe e shoh ditën e sotme si një gurë themeli gjigand në këtë drejtim. Presim me padurim të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet midis SHBA dhe Shqipërisë, dhe për të dhënë një kontribut pozitiv për energjinë dhe sigurinë e rajonit”.

“Dua të theksoj edhe faktin që më 15 Mars do të festojmë 30 vjet qysh prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë dhe nuk mund të mendoja për një ngjarje më të përshtatshme sesa nënshkrimi i kësaj marrëveshje për të treguar sesa shumë është bërë përparim në Shqipëri, që u shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në shndërrimin e një pike të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë, kështu që përgëzime. Jemi shumë krenarë për të atë që keni mundur të arrini dhe shpresoj fort që të arrijmë ta çojmë deri në fund”./tvklan.al