Aleatët angazhohen të mos tërheqin njohjen për Kosovën

Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin e ri qeverisës mes partive opozitare në Malin e Zi.

Krerët e tre grupimeve, pro-serbi Zdravko Krivokapiç dhe dy pro-europianët Dritan Abazoviç dhe Aleksa Beçiç publikuan në një konferencë për shtyp në Podgoricë, marrëveshjen e nënshkruar prej tyre, ku prioritet janë reformat për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Bashkimin Europian dhe forcimi i bashkëpunimit me NATO-n.

Një tjetër pikë e rëndësishme është zotimi i partnerëve të koalicionit për të mos nisur asnjë procedurë për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe afrimi i partive të pakicave kombëtare në qeveri.

Kreu i koalicionit pro-serb Krivokapiç u përqendrua tek ndryshimet në ligjin për pronat e kishës serbe.

“Ne nuk jemi kundër këtij ligji, por kërkojmë respektimin e standardeve europiane. Në këtë aspekt, problemi i vetëm është se ky ligj rrezikon pronat”.

Për shqiptarin Dritan Abazoviç, fokusi i punës së qeverisë së re duhet të jetë ekonomia.

“Sfidat më të mëdha janë ato ekonomike e sociale, problemet e akumuluara, arkat e zbrazura, lufta kundër korrupsionit dhe krimit”.

Të tre grupimet kanë së bashku 41 votat e nevojshme në parlament për formimin e qeverisë së re.

Tv Klan