Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ekonomik këtë të shtunë. Marrëveshjen mes dy palëve e nënshkroi ministrja e Financave, Anila Denaj dhe Nën Sekretarin e Shtetit të SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama gjatë një konference me Krach tha se nënshkrimi kësaj marrëveshjeje do të ndikojë ndjeshëm për investimet e drejtpërdrejta të huaja në Shqipëri. Sipas Ramës do të rriten eksportet ndërkohë që falë kësaj marrëveshje do të mund të realizohet edhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

“Do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet jo vetëm amerikane, por në përgjithësi të huaja në Shqipërisë. Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit që është ndërtimi i Skavicës, HEC-it të Skavicës që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burimet energjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe importi në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, tha Rama.

Rama u shpreh se paratë që futen në ekonominë shqiptare nga vendet mike nuk do të kenë pengesa. Gjithashtu ai rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë, për rolin e saj për rrugët e pastra të teknologjisë 5G.

 “Për ne paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri nuk është një para që vjen njësoj sikur vjen nga një vend mik sikur vjen nga një vend që nuk hyn tek miqtë tonë më të mirë. Duhet të bëjmë çmos në vijim që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, punësim dhe përfitim reciprok.

Dua t’i rikthehem letrës dashamirëse që mora nga presidenti Trump dhe dua të rikonfirmoj atë që kam thënë në mënyrë të ripërsëritur që Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogun, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G. Në këndvështrimin tim rrugët e pastra 5G janë rrugët e pastra për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë dhe për fëmijët e fëmijëve të fëmijëve tanë. Në këtë  aspekt ne jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnik dhe më të besueshëm dhe që nuk kanë për ne ndonjë nevojë që t’i detyrojë të jenë miqtë tanë, por shohin tek ne atë që ne shohim tek ta”, tha Rama.

Për këtë fakt nënsekretari i shtetit e falenderoi kryeministrin Rama dhe tha se ai është një lider.

“Sikurse tha Presidenti Trump mbështetja juaj për telekomunikacionin është një model. Shqipëria është një vend i rrugës së pastër. Nuk mund t’ju falenderojmë mjaftueshëm. Ju falenderoj për udhëheqjen tuaj në çështjen kritike të 5G dhe për angazhimin e qeverisë për rrugën e pastër”, tha Krach. /tvklan.al