Një sulm i kombinuar me raketa dhe dron rus gjatë shkaktoi zjarre, shkatërroi ndërtesa dhe vrau nëntë persona në kryeqytetin Kiev.
Më shumë se 70 persona u plagosën mes tyre gjashtë fëmijë. “Ka pasur shkatërrime. Kërkimi po vazhdon për njerëzit nën rrënoja”, deklaroi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave në aplikacionin e mesazheve Telegram. Kryeqyteti u sulmua 14 herë me dronë dhe 10 herë me raketa. Ndërtesa shumëkatëshe të banimit, një poliklinikë, një shkolle, ndërmarrje industriale dhe një kompleks hotelerie u dëmtuan.
Rusia goditi me drone si dhe raketa balistike, në kryeqytetin ukrainas dhe rajone të ndryshme të vendit, tha Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit. Zhytomyr, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Poltava, Khmelnytskyi, Sumy dhe Zaporizhzhia ishin gjithashtu në shënjestër. Sulmi më i rëndë ishte në një ndërtesë apartamentesh në lagjen Sviatoshynskyi në perëndim të qendrës së qytetit.
Ekipet e shpëtimit janë duke punuar në 13 vende në kryeqytet me specialistë dhe qen duke lëvizur me kujdes nëpër grumbuj rrënojash për të gjetur të mbijetuar. Telefonat celularë dëgjohen duke tingëlluar nën rrënoja. Një alarm për sulm ajror mbeti në fuqi në kryeqytet për gjashtë orë. Ndërkaq, Komanda Operative e Forcave të Armatosura Polake ka bërë të ditur se për shkak të aktivitetit të Federatës Ruse, i cili kreu sulme ndaj objekteve në Ukrainën perëndimore, avionët polakë dhe aleatë kanë filluar të operojnë në hapësirën ajrore polake.
Sulmet vijnë pas akuzës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se refuzimi i Volodymyr Zelensky për të pranuar kushtet e SHBA “do të bëjë asgjë tjetër veçse të zgjasë” konfliktin. Pasi Presidenti ukrainas tha se Kievi nuk do të njihte kontrollin rus të Krimesë, Trump deklaroi se kushti ishte “shumë i dëmshëm” për bisedimet e paqes.
“Askush nuk po i kërkon Zelenskyy-t të njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai dëshiron Krimenë, pse ata nuk luftuan për të njëmbëdhjetë vjet më parë? Unë nuk kam të bëj fare me Rusinë, por kam shumë të bëj me dëshirën për të shpëtuar, mesatarisht, pesë mijë ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, të cilët po vdesin pa asnjë arsye”, shkroi Trump.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata po kërkonte të njihte sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë, Trump tha se ai thjesht donte të shihte fundin e luftës. Ai gjithashtu tha në Zyrën Ovale se e kishte më të lehtë të merrej me Rusinë në krahasim me Ukrainën. Gjithashtu edhe Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance paraqiti vizionin e SHBA-së për një marrëveshje, duke thënë se Ukraina dhe Rusia do të duhet të “heqin dorë nga një pjesë e territorit që zotërojnë aktualisht”.
Klan News