Dy javët e fundit të Nëntorit kanë qenë tragjike sa u përket shqiptarëve në Greqi. Në harkun kohor të 10 ditëve, 6 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën në shtetin fqinj, disa prej të cilëve të vrarë, e të tjerë që janë ndarë nga jeta aksidentalisht.

19 NËNTOR 2018

Adoleshenti shqiptar Enriko Buzani 15 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në qytetin Kyparissia. Ai kishte marrë pa leje makinën e të atit dhe së bashku me të ishin edhe dy shokë të tij 15-vjeçarë. Automjeti i tyre u përplas me një kamion. Fatkeqësisht, tre adoleshentët humbën jetën. LEXO MË SHUMË

22 NËNTOR 2018

Altin Mulla vritet në kufi pranë Pogonit nga policia greke. Së bashku me disa persona të tjerë, Mulla kishte kaluar ilegalisht nga kufiri i gjelbër për të trafikuar lëndë narkotike. Ata u diktuan nga policia greke që patrullonte kufirin dhe nisën të qëllonin me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Altin Mulla mbeti i vdekur, kurse shqiptarët e tjerë u arratisën. LEXO MË SHUMË

24 NËNTOR 2018

Një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën në aksident në hyrje të qytetit Malesina. Ai ishte duke udhëtuar i vetëm në makinë kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke përfunduar në oborrin e një shtëpie. Shqiptari banonte prej vitesh në Greqi dhe njihej si njeri i respektuar nga banorët e zonës. LEXO MË SHUMË

25 NËNTOR 2018

Një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas u gjet i pajetë në qeli. Një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur. Ai u gjet i vdekur nga gardianët, ndërsa shkaqet janë ende mister. LEXO MË SHUMË

26 NËNTOR 2018

Një 63-vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në një kanal në anë të rrugës në Korfuz. Nga hetimet paraprake, rezultoi se 63-vjeçari ishte qëlluar me çifte nga një distancë e afërt nga persona të panjohur. Më pas trupi i tij ishte hedhur në anë të rrugës. Shqiptari ishte person i njohur në atë zonë pasi banonte prej vitesh. Fqinjët i thanë policisë se ai nuk kishte probleme me persona të tjerë. LEXO MË SHUMË

29 NËNTOR 2018

Një 40-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Selanik. Viktima po kalonte rrugën kur u godit nga një automjet i drejtuar nga një 20-vjeçar. Për shkak të plagëve, 40-vjeçari shqiptar humbi jetën menjëherë. LEXO MË SHUMË 

/tvklan.al