Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Better, ka komentuar politikën tregtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Bettel, i cili më herët ka punuar me Trump si Kryeministër i vendit të tij gjatë mandatit të tij të parë, u shpreh me ironi për kreun e Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se “nëse je i dobët, ai të ha dhe nëse nuk negocion, ai të vret”.

Ministri Bettel tregon se si Europa duhet të sillet me Trump dhe nevojën që ka Amerika për partnerë.

“Amerika së pari nuk do të thotë Amerikë vetëm, sepse edhe Amerika ka nevojë për partnerë”, sqaroi Bettel.

Bettel vijoi më tej duke thënë se pasojat e çdo lufte tregtare do të godasin gjithashtu votuesit e lëvizjes “MAGA” në Shtetet e Bashkuara, çmime më të larta. “Mendova se ky nuk ishte qëllimi i Trump,” tha ai.

Duke folur me humor për nevojën për të biseduar me administratën e re amerikane, ai vazhdoi duke thënë: “Është si një martesë. Kam qenë kryetar bashkie, kam bërë shumë martesa para se të isha Kryeministër, por kam qenë edhe jurist, kam bërë shumë divorce. Gjëja më e rëndësishme është të flisni së bashku, dhe kur keni probleme, të diskutoni, të jeni rreth tryezës”.

Ministri i Jashtëm u përpoq të jepte një notë optimiste sa i takon administratës Trump.

“Kam punuar për vite me të, me Donaldin dhe mbijetuam. Dhe ajo i mbijetoi gjithashtu. Kështu që jam i bindur se të gjithë do të mbijetojmë dhe do të kemi një ekonomi të fortë. Nuk është në interesin e askujt përpjekja për të dobësuar dikë”, sqaroi Bettel.

Në fund, ministri Bettel u shpreh se nëse Trump lëviz kundër Bashkimit Europian, blloku do të duhet të hakmerret. /tvklan.al