Nëse në Qershor të 2019 Shqipërisë nuk do t’i çelen negociatat e anëtarësimit, atëherë do të kishte jo vetëm pasoja negative për rajonin, por vetë institucionet europiane do të humbisnin besueshmërinë.

Qëndrimi është i raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein i cili në një intervistë për Tv Klan thotë se me raportin që hartoi për ecurinë e reformave në Shqipëri e që mori miratimin e Parlamentit Europian javën e shkuar, kërkohej t’i përcillej një mesazh Këshilli të Ministrave të BE.

“Mesazhi kyç për Shqipërinë është: Vazhdoni kështu, por ka gjithashtu disa pika, ku ne do të donim të shihnim më shumë rezultate. Por ishte një mesazh drejtuar gjithashtu Këshillit të ministrave, që ne i mbahemi vendimit tonë dhe mbështesim Komisionin Europian për hapjen e negociatave dhe kërkojmë që ato të hapen vitin e ardhshëm. Nëse kjo nukd ndodh, nuk do ketë rrjedhoja negative vetëm për rajonin, por edhe për institucionet europiane. Nëse ato nuk janë të besueshme, atëherë harroji ato”. 

Fleckenstein shpreh sigurinë se procesi i Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të vijojë si dhe duhet të plotësohen vendet vakante në sistemin e drejtësisë.

“E kuptoj që është një situatë e vështirë, por kjo mund të ndodhë në një fazë të tillë tranzitore. Problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha njëkohësisht. Duhet pak durim për këtë. Nga ana tjetër është absolutisht e nevojshme, që gjykatat dhe prokuroritë të funksionojnë dhe që këto poste vakante të mbushen”.

Në raportin e miratuar nga Parlamenti Europian i kërkohej klasës politike në Shqipëri të miratonin reformën zgjedhore si dhe të bashkëpunimin në Parlament për reformat që kërkohen nga vendi ynë për t’u çelur negociatat.

Tv Klan