Prioritetet për 2021: Përballimi i pandemisë dhe rindërtimi

Socialistët do të miratojnë nesër në Kuvend buxhetin e vitit të tetë të qeverisjes së tyre, me pretendimin e një tjetër mandati katër vjeçar. Pas më shumë se dy javë diskutimesh në parim, deputetët do të ngrenë kartonët jeshil për buxhetin për vitin 2021 të qeverisë Rama.

Në këtë ligj kryesor financiar janë parashikuar dy drejtime kryesore, përballimin e pandemisë dhe rindërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Sipas ndryshimeve të bëra në momentet e fundit nga relatori i Komisionit të Ekonomisë ish-ministri Anastas Angjeli, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë u shtua me 2.2 miliardë Lekë duke shkuar në total në rreth 70 miliardë Lekë.

Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë nga 1 Janari 2021 për rimbursimin e ilaçeve që do te përdoren për pandeminë e koronavirusit. Një zë të veçantë në financat e vitit 2021 zënë edhe naftëtarët e Ballshit që pas arritjes së marrëveshjes me qeverisë përfitojnë si fond page secili shumën prej 40 mijë lekësh për një periudhë 12 mujore.

Në këtë vit elektoral qeveria Rama krahas vijimit të qëndrimit ne pushtet synon të mbledh 483 miliardë lekë si të ardhura buxhetore shumë e cila duket goxha ambicioze duke përllogaritur efektet negative që mund të shkaktojë në ekonomisë pandemia e COVID-19. Rritja e buxhetit përfshin edhe sektorin e bujqësisë me 950 milionë Lekë, shume e cila do të shkojë për skemën e rimbursimit të karburantit për fermerët, ndërsa një fond prej 200 milionë lekësh do të shkojë për investime në diga për përballimin e përmbytjeve.

Financat e vitit të ardhshëm parashikojnë edhe rritjen e pagave për mjekët me 40% si edhe për arsimtarët me 15%, rritje e cila fillon nga 1 janari 2021. Po ashtu miliona Lekë do t’u kushtojë shqiptarëve edhe mbajtja e zgjedhjeve të 25 Prillit ku do të blihen pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik të votave që do të përdoren nga jo më shumë se 20% të totalit të zgjedhësve.

Ato do të jenë offline për të shmangur rrezikun e ndërhyrjeve në rrjet dhe gjasat janë që të aplikohen në dy qarqe. Kostoja e teknologjisë që do të përdoret në këto zgjedhje, si identifikimi elektronik i zgjedhësve në tërë territorin e vendit dhe votimi e numërimi elektronin, ende nuk është përcaktuar. Pritet qe pasi KQZ-ja  te marre çmimet e referencës nga 20 kompanive që merren me identifikimin elektronik të zgjedhësve te planifikohen shtesa ne buxhetin e vitit te ardhshëm.

Tv Klan