Nesër përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore



Nesër përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore

14:01 22/06/2020

Nesër më 23 Qershor përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore që u vendos më 24 Mars si pasojë e situatës nga Covid-19.  

Me rritjen e shifrave të të prekurve me koronavirus, por edhe numrit të të shtruarve në spitalin infektiv dhe jetët e humbura, pyetja që bëhet është se a do të kemi kthim pas dhe a do të shtyhet sërish gjendja e jashtëzakonshme. Pak ditë më parë, Kryeministri Rama foli për një skenar të mundshëm.

Por çfarë efekti jep një vendim i tillë dhe sa mund të respektohet nga qytetarët gjatë sezonit të verës. Ndonëse të dhënat që raportohen nga Ministria e Shëndetësisë për koronavirusin janë shqetësuese, kjo nuk i ka penguar njerëzit që t’u drejtohen plazheve, kryesisht gjatë fundjavave.

Ata që kanë shfrytëzuar motin e ngrohtë kanë qenë të shumtë edhe kur frekuentimi i plazheve ishte i ndaluar. Sipas studimeve, uji i detit nuk e transmeton virusin, por frika për infektim është në bregdet. Edhe nëse çadrat janë me distancën e nevojshme, sërish është i pashmangshëm kontakti me njerëzit në ambiente të tjera.

Ecjet e mbrëmjes në shëtitoret e qyteteve turistike shkaktojnë një përqëndrim të madh njerëzish, po ashtu edhe frekuentimi i dyqaneve dhe lokaleve nga pushuesit bën praktikisht të pamundur krijimin e distancave të sigurisë.

Pa përmendur diskotekat dhe lokalet e natës ku festa dhe alkooli e fshijnë shumë shpejt rrezikun nga virusi.

Një masë e tillë për gjendje të jashtëzakonshme vetëm përgjatë vijës bregdetare prek edhe sezonin turistik dhe dëmton në mënyrë të veçantë hotelet dhe sektorin. Shqipëria ka hapur sezonin që në 1 Qershor dhe qytetarët janë ftuar që këtë vit t’i kalojnë pushimet brenda territorit, ndërsa një ftesë e tillë iu bë edhe kosovarëve pak ditë më parë.

Nëse do të ketë një shtyrje të gjendjes së jashtëzakonshme, e përgjithshme apo në pjesë të veçanta, kjo do të vendoset nga komiteti i ngritur për koronavirusin.

Klan Plus




Të ngjashme