Kryeqyteti do të përfshihet nga organizimet festive në kuadër të Ditës së Verës këtë të diel. Bashkia e Tiranës ka planifikuar 50 aktivitete në zona të ndryshme të qytetit, që do të startojnë në orët e para të mëngjesit, për të vijuar deri në mesnatë. Aktivitetet për fëmijë, krahas lojërave do të përfshijnë edhe Teatrin e Kukullave, Panairin e Gjelbër “Eduko fëmijët me mjedisin”.

Nuk do të mungojë panairi i librit, si dhe panairi me produkte nga të gjitha njësitë administrative të Tiranës. Në vende të ndryshme do të organizohen aktivitete të ndryshme muzikore, me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve.

Për mbarëvajtjen e aktiviteteve, Bashkia e Tiranës, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë organizuar një plan masash për organizimin e aktiviteteve, për pasojë do të devijohet edhe qarkullimi i mjeteve.

“Segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”, pra i gjithë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i pakalueshëm për mjetet. Mjetet do të kalojnë vetëm në rrugët paralele me bulevardin, si rruga “Ibrahim Rrugova” dhe rruga “Gjon Pali II”. Aktivitetet do të zhvillohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe zonën e ish-Bllokut, në dy rrugë të saj, në rrugën “Pjetër Bogdani”, dhe në rrugën “Brigada VIII”. Në të gjithë perimetrin ku do të zhvillohen aktivitetet nuk do të lejohen që të parkohen mjetet. Lutemi që qytetarët të lëvizin mjetet përpara datës 17 mars, pasi ato do të lëvizen nga ana e Policisë Bashkiake”. 

Në kuadër të masave të sigurisë, janë planifikuar të ngrihen disa pika emergjence në sheshin “Skënderbej”, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ashtu edhe në Liqenin Artificial.

Tv Klan