Izraeli intensifikon bombardimet vdekjeprurëse në jug të Gazës dhe Bregun Perëndimor, 600 persona do të largohen nga Rafah

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një interviste për ABC News në emisionin “World News Tonight”,  hodhi poshtë edhe një herë idenë e një armëpushimi në Gaza nëse nuk lirohen 240 pengjet.

Biden dhe Netanyahu nëpërmjet një bisede telefonike nuk  arritën asnjë marrëveshje lidhur me nevojën për një pauzë humanitare në luftën Izrael-Hamas.

“Asnjë armëpushim i përgjithshëm në Gaza pa lirimin e pengjeve tanë. Për sa i përket pauzave të vogla i kemi pasur më parë, mendoj se do të kontrollojmë rrethanat për të mundësuar ndihmat humanitare të hyjnë, por nuk mendoj se do të ketë një armëpushim të përgjithshëm. Unë mendoj se kjo do të pengojë përpjekjet e luftës, do të pengojë përpjekjet tona për të nxjerrë pengjet tanë. Sepse e vetmja gjë që po funksionon mbi këta kriminelë në Hamas është presioni ushtarak që ne po ushtrojmë.”

I pyetur se se kush duhet të qeverisë territorin kur të mbarojnë luftimet, kryeministri izraelit u shpreh se Izraeli do të ketë një rol për të luajtur për një periudhë të pacaktuar dhe do të ketë përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë në Gaza pas përfundimit të luftës. Zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare i SHBA-së, John Kirby, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të kërkojë për pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar të luftimeve ndërsa u shpreh se mbështetja për Izraelin do të vijojë.

Ndërkaq në Gaza u bombardua sërish intesivisht nga ushtria izraelite. Shpërthime pati në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis dhe qytete të tjera në jug duke vrarë 23 njerëz. Qindra mijëra banorë të Gazës u zhvendosën pasi ushtria izraelite urdhëroi komunitetet në veri të evakuoheshin drejt jugut për sigurinë e tyre. 

Tashmë, numri i të vdekurve palestinezë ka kaluar 10,000. Mijëra palestinezë që strehohen në spitalin Al Shifa, që strehon rreth 50,000 palestinezë të zhvendosur, qendra më e madhe mjekësore e Rripit të Gazës  ka marrë urdhra evakuimi nga Izraeli. Por civilët, të strehuar në tenda në mjediset e spitalit, thonë se nuk kanë ku të shkojnë tjetër dhe nuk planifikojnë të largohen.

“Ne jemi këmbëngulës, çfarëdo që të bëjnë me ne, ne nuk do të largohemi nga Al-Shifa. Ata ndërprenë ujin, rrymën, ushqimin por tani nuk kemi ku vendosemi sepse nuk ka vende të sigurta askund. Situata përkeqësohet. Bombardimet rriten, më shumë shkatërrime, më shumë njerëz të vdekur.”

Ndërkaq një grup tjetër shtetasish të huaj do të largohen nga Gaza përmes kalimit Rafah në Egjipt. Rreth 600 persona me pasaporta të huaja nga Gjermania, Rumania, Franca, Filipinet, Ukraina, Kanadaja dhe Moldavia si dhe Mbretëria e Bashkuar do të largohen nga vendi.

Viktimat ka të ngjarë të rriten ndjeshëm. Trupat tokësore pritet të hyjnë në qytetin e Gazës së shpejti, dhe militantët palestinezë që kanë pasur vite për t’u përgatitur, ka të ngjarë të luftojnë rrugë më rrugë. Ndërkaq bastisjet vdekjeprurëse izraelite vazhdojnë në të gjithë Bregun Perëndimor.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raporton se dy persona janë vrarë dhe 12 janë plagosur në bastisjet gjatë natës. Të paktën 164 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori, duke përfshirë katër të burgosur që vdiqën në paraburgimin izraelit , ndërsa ë shumë se 2200 janë arrestuar.

Klan News