Kryeministri i izraelit, Benjamin Netanjahu është pritur me protesta në sallën e OKB-së në Nju Jork.

Teksa iu drejtua foltores për të mbajtur fjalën e tij në kuadër të çeljes së sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kreu i qeverisë izraelite është përballur me thirrjet nga salla që kundërshtonin praninë e tij në sallë.

Përpjekjet e drejtuesit e seancës për të vendosur qetësinë, disa nga delegacionet e pranishme, përfshi edhe ato të Iranit dhe Turqisë u larguan nga salla.

Kjo nuk e pengoi Netanjahun që në fjalimin e tij të shigjetoi të gjithë kundërshtarët e Izraelit si harku i së keqes, ndërsa konfirmoi edhe një herë se Izraeli do të luftojë deri në fitore.

“Nuk e kisha ndërmend të vij këtu këtë vit. Vendi im është në luftë, lufton për jetën e tij. Por pasi dëgjova gënjeshtrat dhe shpifjet e bëra ndaj vendit tim nga shumë folës në këtë podium, vendosa të vij këtu dhe të them mjaft”.

Ndërsa konfirmoi se Izraeli kërkon paqe, në të njëjtën kohë ai theksoi se ai është i vendosur të luftojë këdo që përbënë kërcënim për të.

“Kam një mesazh për tiranët e Teheranit, nëse na goditni, ne do t’ju godasim. Nuk ka vend. Nuk ka vend në Iran që krahu i gjatë i Izraelit nuk mund ta arrijë. Dhe kjo është e vërtetë për të gjithë Lindjen e Mesme.

Por ndërsa Netanjahu mbante fjalimin e tij në Nju Jork, ushtria izraelite kreu një sulm masiv në Bejrut me objektiv kreun e Hezbollahut, Hasan Nasrallah.

Por burimet e Hezbollahut u thonë agjencive ndërkombëtare të lajmeve se Nasrallah është gjallë dhe i sigurt pas sulmeve në periferi të Bejrutit.

Si pasojë e sulmit, shumë ndërtesa, përfshirë edhe selinë qendrore të Hezbollahut u shkatërruan, ndërsa 2 persona humbën jetën, ndërsa 76 të tjerë u plagosën.

Tv Klan