Izraeli bombardon ambulancat më të plagosur, OKB-ja kërkon 1.2 mld dollarë ndihmë për palestinezët

Goditje e pamëshirshme e aviacionit izraelit ndaj një kolone ambulancash që do të largohej nga spitali al-Shifa në qytetin e Gazës dhe udhëtonte drejt jugut të enklavës për të evakuuar të plagosur. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë qartë viktimat e shtrira përtokë e të mbuluar në gjak pranë një ambulance me drita të ndezura. Të shumtë vrapuan për të ndihmuar.

“I informuam të gjithë për këtë lëvizje të ambulancave, përfshirë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, por forcat izraelite i bombarduan këto ambulanca si dhe makina të tjera.”

Nga pamjet mund të numërohen lirshëm të paktën 20 viktima, por numri i tyre mund të jetë shumë më i madh. Ambulancat do të dërgonin palestinezë të plagosur rëndë për kujdes të specializuar në Egjipt. Më vonë Forcat Izraelite të Mbrojtjes thanë se automjeti ishte “përdorur nga një celulë terroriste e Hamasit” dhe se gjatë sulmit u vra një numër operativësh të Hamasit.

Bombardimi i përsëritur i spitaleve dhe ambulancave ndodhi sapo sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u kërkoi udhëheqësve izraelitë të lejojnë një armëpushim humanitar në luftën e tyre me Hamasin në Gaza për të lejuar kalimin e ndihmës dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve.

 “Ne jemi absolutisht të fokusuar në kthimin e pengjeve dhe kthimin në familjet e tyre dhe besojmë se, ndër të tjera, një armëpushim humanitar mund të ndihmojë. Kjo është një nga arsyet pse jemi të fokusuar në të. Por pavarësisht, vendosmëria jonë për të rikthyer pengjet shfaqet çdo ditë”.

Blinken u shfaq i vetëm në konferencë dhe përgjigjen e mori menjëherë pasi u nis për në Jordani. Kryeministri Benjamin Netanyahu që tani duket se ka dalë jashtë kontrollit e kërkon hakmarrje me çdokush tha prerë se Izraeli nuk pajtohet me ndonjë armëpushim të përkohshëm me Hamasin derisa të lirohen 240 pengjet.

“Izraeli refuzon një armëpushim të përkohshëm që nuk përfshin kthimin e pengjeve tona,” tha ai gjatë një fjalimi televiziv. Ai shtoi se këtë mesazh ja përcolli në takim dhe sekretarit të Shtetit Antony Blinken.

Këtu familjarë të dëshpëruar rreth spitalit indonezian në Gaza në kërkim të të mbijetuarve pas sulmeve ajrore izraelite që goditën sërish kampin e refugjatëve. Pamjet e shpërndara nga Komiteti i Shpëtimit tregojnë një burrë teksa transporton një foshnjë të vdekur në një morg, ndërsa stafi mjekësor nxiton të mjekojë fëmijët e tjerë të plagosur. Pa asnjë karburant në makinën e tij, ky mjek palestinez nga Gaza udhëton me biçikletën e tij nga një strehë në tjetrën për të mjekuar pacientët.

“Shumica e njerëzve i lanë ilaçet e tyre nën rrënoja, kështu që ne duhet t’i vizitojmë në shkolla dhe t’i kontrollojmë dhe t’u ofrojmë trajtim për sëmundjet kronike.”.

Enklava vuan nga mungesa e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve. Këtu pamjet nga ajri tregojnë shkatërrimin e papërshkrueshëm në kampin e refugjatëve Maghazi. Banorët kërkojnë për të mbijetuar nën një grumbull rrënojash.

Ushtria izraelite thotë se zbuloi tunele të Hamasit në Rripin e Gazës, ndërkohë forcat izraelite goditën Rripin e Gazës nga toka, deti dhe ajri pa pushim. Ushtria tha më herët se është në “gatishmëri shumë, shumë të lartë” në kufirin me Libanin pasi lideri i grupit islamik Hezbollah theu heshtjen e tij për luftën. Në një fjalim të ndjekur nga mijëra vetë gjatë një tubimi në Bejrut, Hassan Nasrallah vlerësoi sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, por tha se ato ishin “100% palestineze”.

Izraeli ka paralajmëruar për pasoja “të paimagjinueshme” nëse Hezbollahu i bashkohet luftës Izrael-Gaza

Zyra humanitare e OKB-së po kërkon tani rreth 1.2 miliardë dollarë për të përmbushur nevojat e 2.7 milionë njerëzve në Rripin e Gazës dhe 500,000 në Bregun e pushtuar Perëndimor deri në fund të vitit. Furnizimet e Gazës me ndihma janë ulur në minimum që kur Izraeli filloi të bombardojë enklavën.

Që nga fillimi i operacionit tokësor në Gaza kanë humbur jetën të paktën 24 ushtarë izraelitë dhe janë plagosur të paktën 260 të tjetër. Këtu familjarë, miq e bashkëluftëtarë teksa i japin lamtumirën nënkolonelit Salman Habaka, që u vra të enjten në Rripin e Gazës. 33-vjeçari është deri më tani një nga ushtarakët me gradën më të lartë që bie në betejë.

Ndërsa gjendja mbetet e tensionuar në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalem, besimtarët myslimanë janë mbledhur për faljen e së premtes brenda kompleksit të xhamisë Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i islamit. Autoritetet izraelite kanë kufizuar hyrjen në kompleks të besimtarëve.

Klan News