INSTAT: Kryesojnë vizitorët nga Kosova, Italia dhe Gjermania

Turizmi gjatë vitit 2024 pritet të thyej rekorde. Dhe kjo gjë dëshmohet edhe nga shifrat e muajve të parë të turistëve të cilët kanë ardhur në rritje. Por veç rritjes së numrit të vizitorëve të huaj me mbi 42%, sipas të dhënave të INSTAT për treguesit e kapaciteteve të strukturave akomoduese, edhe koha e qëndrimit të turistëve në vendin tonë është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 49,4%, në krahasim me Janar 2023. Por rritjen më të ndjeshme e ka koha e qëndrimit të të huajve, e cila është rritur me gati 70% në krahasim me janarin 2023. Ndërsa për rezidentët koha e qëndrimit është rritur me 30%.

Të huajt gjatë Janarit kanë preferuar më shumë rajonin qendror.

Sipas shteteve, numrin më të lartë të vizitorëve e kanë shqiptarët e Kosovës, pasuar nga italianët, ashtu siç ishte dhe tendenca e vitit 2023. Edhe në netët e qëndrimit, kryesojnë kosovarët, me 15.6% të netëqëndrimeve të jo rezidentëve, e ndjekur nga Italia me 13.4%, Gjermania me 4.6% dhe më pas janë Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Klan News