Rasti i hyrjes së makinës në sheshin Skenderbej nga qytetari Arben Memaj, ishte një moment vërtet i rrezikshëm që ngjante me sulme terrori. Por ajo që u mediatizua ishte heroizimi i 22-vjeçarit Klodian Elqeni që arriti të ndalonte shoferin duke bërë një ndalesë spektakolare. Ai ka qenë i ftuar në studion e “Rudinës” në Tv Klan, ku ka folur më gjatë rreth kësaj situate dhe përjetimin e tij në ato momente. Ai tregon se ishte duke ecur me dajën e tij dhe në ato momente vuri re një makinë të dëmtuar me një gomë të çarë. Në fillim ai mendoi se shoferi ka humbur kontrollin, por më pas vuri re se ai qëllimisht po tentonte të shtypte këmbësorët.

Klodian Elqeni: Kur shkoi para tendave ai u ndal, e ndali shpejtësinë e madhe që kishte, iu vërsulën njerëz për ta nxjerrë nga makina, ndër ta ishte edhe policia e shtetit, por agresori tentoi që të largohej përsëri. I dha gaz makinës dhe nuk pranoi që t’i bindej qytetarëve dhe policëve të shtetit. Kur i dha gaz bëri disa rrotullime shumë të rrezikshme për të gjithë sepse u mblodhën njerëz aty dhe u tremba sepse kishte dhe fëmijë që luanin me biçikletë. Në  momentin e parë mendova që ky është një akt terrorist, kur pashë që policia nuk e neutralizoi dot me hapjen e derës dhe me disa goditje që i bëri, të vetëm rrugë që pashë, ishte vetëm nga dritarja. Mora guximin për hir të qytetarëve që ndodheshin aty.

Rudina Magjistari: Në momentin që ti mendove se ishte akt terrorist nuk mendove për veten tënde apo jo, se ti rrezikove jetën tënde në momentin që u hodhe aty.

Klodian Elqeni: Është e vërtetë që po rrezikoja jetën time, por ndërkohë po rrezikoheshin dhe shumë jetë të tjera. Unë kam qenë i fundit nga turma, kur u nisa vrap për të shkuar në shënjestër, dëgjova policinë të thoshte mos u afroni se është i armatosur. Unë nuk u ndala, u hodha në dritare edhe shyqyr e godita dhe personi u shtri nga ana tjetër e sedijes. 

Rudina Magjistari: Ke rrëshqitur në makinë në mënyrë spekatakolare, thashë si aktor dhe jo si një ngjarje reale.

Klodian Elqeni: Qëllimi im i vetëm ishte ta godisja fort me këmbë që ai të ngelte pa ndjenja sepse kisha frikën e armës. Pasi e godita, kam bërë edhe disa lëvizje të tjera me shkelmë sepse po mendoja që nëse do nxirrte armën, mos më qëllojë. Kam pasur ndihmën e qytetarëve përreth, policisë, e kanë hapur derën dhe e kanë tërhequr më pas dhe shyqyr shkoi gjithçka për mrekulli. /tvklan.al